Studentët i kanë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë disa kërkesa që duan të plotësohen me buxhetin e vitit 2019. Ata i bëjnë thirrje Kuvendit dhe qeverisë që t’i shqyrtojë ato deri në 6 Janar 2019, në të kundërt do të vijojnë me protestat e tyre.
Studentët protestues i kanë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë disa kerkesa që duan të plotësohen me buxhetin e vitit 2019, të cilat kanë në bazë 8 pikat e parashtruara prej tyre që në fillimet e protestës.
Studentët i bëjnë thirrje Kuvendit dhe qeverisë që të marrë në shqyrtim këto kërkesa deri më 6 Janar, kur ata do t’i rikthehen protestës.
“I kërkojmë parlamentit dhe qeverisë plotësimin e kërkesave nëpërmjet amendimit të ligjit mbi buxhetin, ku në zërin për arsimin e lartë të planifikohen të gjitha fondet e nevojshme sipas kërkesave tona që lidhen me anën ekonomike. Mos amendimi i ligjit të buxhetit sot për ne konsiderohet shprehje e qartë e mospranimit të kërkesave tona. I kërkojmë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve përgjegjëse që deri më datë 06.01.2019 të angazhohet në plotësimin e kërkesave”, u shpreh një student.
Si pikë të parë në këtë letër drejtuar Kuvendit, studentët rendisin kërkesën për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të GDP-së, me qëllim përgjysmimin e tarifës për çdo nivel studimi. Po ashtu studentët kërkojnë përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës në universitete dhe konvikte si edhe transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Institucionet e Arsimit të Lartë dhe publikim të shpenzimeve online.
Një kërkesë tjetër në letrën e studentëve drejtuar Kuvendit është rritja nga 10 në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan dhe rektor si dhe çdo fakultet të ketë në përfaqesues të studentëve në Senatin Akademik. Studentët bëjnë të ditur se nëse qeveria nuk i merr në konsideratë kërkesat e tyre deri më 6 Janar, ata do të përshkallëzojnë më tej protestat e tyre./abcnews.al