Studentët e juridikut i rikthehen mësimit

schedule17:08 - 30 Janar, 2019

schedule 17:08 - 30 Janar, 2019

Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot rreth orës 14.00 ka rifilluar procesi mësimor në Fakultetin e Drejtësisë. Studentët i janë drejtuar ambienteve të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, aty ku do të vijojë mësimi, derisa të zhbllokohet situata e në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, ku prej 19 ditësh vijojnë të jenë të ngujuar një grup studentësh. Dekani i këtij fakulteti Artan Hoxha siguroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajten e procesit mësimor.

Momente tensioni shoqëruan kthimin në mësim të studenteve të Drejtësisë në Tiranë. Ndërsa të rinjtë nisën të hynin në mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, një grup studentësh pro bojkotit në përpjekje për të ndaluar nisjen e leksioneve dhe seminareve mbyllën derën me zinxhirë.

Nuk zgjati shumë dhe normaliteti u rikthye nga punonjësit e gjimnazit pa pasur nevojë për ndërhyrjen e policisë, e cila mbërriti para shkollës.

Auditoret e Fakultetit të Drejtësisë për një kohë të pacaktuar do t’i zëvendësojnë 38 klasat e shkollës së mesme.

“Shpresoj që kjo situatë të rregullohet sa më shpejt. Nuk mund të humbasim vitin duke bojkotuar, përderisa shumica janë në mësim”.

Nga ora 14:00 deri në mbrëmje edhe përgjatë fundjavës studentët do të marrin leksionet e humbura sipas një orari të riorganizuar. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë thotë se kjo ishte një zgjidhje e detyruar, ndërkohë që mjediset universitare mbahen të bllokuara nga një grup studentësh.

“Nuk është në nivelin që duam, por ju shikoni numrin e madh të studentëve janë dhe shumë të tjerë që ishin në fakultet që tregojnë interes për të vazhduar programin. Ne kemi mirëkuptimin e studentëve për ndonjë vështirësi”.

Megjithëkëtë pedagogët thonë se janë marrë te gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Është e drejta e tyre të bojkotojnë dhe e drejtë e të tjerëve për të zhvilluar mësim. Ne kemi detyrim ligjor që të paraqitemi për të gjithë ata që duan mësim”.

Ndërkohë mjediset e fakultetit të Drejtësisë i janë lënë studentëve të ngujuar. Këtë forme proteste ky grup studentësh thotë se do ta vijoje deri më 1 shkurt, datë  kur pritet dhe reagimi i pedagogëve. Më pas do të vendosin për hapin e radhës.

“Mundësia e parë është greva e urisë, e cila është trumbetuar shumë. Është dhe një ide e dytë që është shumë ekstreme, por që ato studentë që kanë vendosur të vënë gjithçka në rrezik dhe kokën e tyre për qëllimet përfundimtare”.

Studentët pro bojkotit të mësimit kërkojnë anulimin e ligjit për arsimin e lartë me qëllim që ti rikthejnë normalitetin jetës universitare. Ndërkohë që për të zgjidhur situatën ligji detyron Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, por ky i fundit ende nuk ka marrë një vendim për të zgjidhur kaosin e krijuar tek Drejtësia. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!