Strehimi i afganëve, Rama për median franceze: Nuk presim favore nga Uashingtoni, jemi vend mikpritës

schedule08:51 - 25 Shtator, 2021

schedule 08:51 - 25 Shtator, 2021

Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku ka dhënë një intervistë për televizionin francez TV5monde. Në bisedën e shkurtër me gazetaren franceze, kreu i qeverisë u është përgjigjur një sërë pyetjesh në lidhje me të ardhmen evropiane të vendit, eksodin e popullsisë dhe pritjes së refugjatëve nga Afganistani.

I pyetur nëse Shqipëria po përpiqet që të fitojë favore nga Uashingtoni duke strehuar të paktën 4,000 refugjatë afganë, Edi Rama tha se kërkesa për strehimin e tyre nuk erdhi nga qeveria amerikane por nga organizata humanitare në SHBA.

Siç është shprehur dhe herë të tjera, kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend që historikisht e ka treguar që hap dyert për ata që kanë nevojë.

Ndërsa i pyetur për krizën aktuale të nëndetëseve mes Francës dhe SHBA-ve, Rama preferoi të qëndronte asnjëanës duke thënë se është i bindur se dy presidentët Macron dhe Biden mund ta zgjidhin fare mirë me aftësitë e tyre dialoguese.

Kriza transatlantike ka një vend në OKB për çështjen e nëndetëseve.  Si vend evropian i lidhur shumë me SHBA, në cilën anë qëndron Shqipëria, me Francën apo me Uashingtonin?

“Ne jemi vërtet aleatë krenarë të SHBA, por jemi gjithashtu miq shumë krenarë të Francës dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize. Sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur dhe nga ana tjetër jam i sigurt se nëpërmjet presidentit Macron dhe presidentit Joe Biden ka mjaft aftësi për të dialoguar.” 

Pyetjes që lidhej me fatin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, kreu i qeverisë iu përgjigj se në vend tashmë pandëshkueshmëria nuk është normë dhe se po bëhen reforma e po luftohet korrupsioni.

Po jua përsëris pyetjen, a është Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka ju kërkon Brukseli?

“Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti  po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim.” /abcnews.al/