Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup theksoi se Maqedonia e Veriut po i gëzon që tani përfitimet si anëtare e ardhshme e NATO-s. Shefi i NATO-s përgëzoi edhe njëherë Maqedoninë e Veriut për marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës. Stoltenberg tha se të dyja vendet me këtë marrëveshje treguan se e pamundura mund të bëhet realitet dhe mosmarrëveshjet mes fqinjëve të marrin fund.
Me përshëndetje të ngrohta, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministri Zoran Zaev pas takimit të përbashkët të Këshillit Euro-Atlantik dhe përfaqësuesve të qeverisë numëruan një sërë përfitimesh por edhe obligimesh nga anëtarësimi në aleancë, që për Maqedoninë pritet të rrumbullakësohet deri në fund të vitit ose në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Historia e dyerve të hapura të NATO-s u tregua e suksesshme, theksoi Stoltenberg, duke marrë si shembull vendin e tij.
Jens Stoltenberg: Unë vij nga një vend i vogël në veri, i cili kishte shumë përfitime nga anëtarësimi në aleancë, dhe jam absolutisht i sigurtë se edhe Maqedonia do të ketë përfitime nga kjo aleancë. Siguron bazë për përparim, sepse siguria është parakusht për zhvillim ekonomik dhe prosperitet, tanimë e shohim se investimet në Maqedoninë e Veriut rriten, që është mirë edhe për vendin edhe për rajonin.
Anëtaret e NATO-s duhet të dorëzojnë edhe 16 ratifikime të protokolleve për anëtarësimin e Maqedonisë si vendi I 30-të në NATO, ndërkaq nga Maqedonia e Veriut pritet plotësimi i premtimit për harxhime ne mbrojtje 2% nga bruto prodhimi vendor dhe t`i rrumbullakësojë reformat për sistemet e sigurisë dhe të zbulimit e kundër-zbulimit, që të jetë e gatshme për shkëmbimin e informacioneve të besueshme.
Zoran Zaev: I zbatuam gjithashtu edhe hapat e nevojshëm për riformimin e agjencive të zbulimit dhe kundër-zbulimit, dhe të shërbimeve të sigurisë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë dhe palët e interesuara. Tani ato prapë e morën rolin autentik, të jenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe të interesave të vendit dhe aleatëve të saj. Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet pjesë e aleancës trans-atlantike.
Në lidhje me tensionet në veriun e Kosovës dhe çështjen e pazgjidhur midis Prishtinës dhe Beogradit, Stoltenberg edhe një herë si model për zgjidhje e sugjeroi Marrëveshjen e Prespës.
Jens Stoltenberg: Kjo tregon se është e mundur të tejkalohen dallimet nga e kaluara, të tejkalohen mospajtueshmëritë historike. Jo të harrohet e kaluara, por të mos lejohet ajo të rrezikojë të ardhmen. Të tejkalohen dallimet dhe së bashku të shkohet më tutj”.
Stoltenberg në Shkup arriti nga Tirana, ku theksoi se nuk është e pranueshme dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike, duke bërë thirrje që të respektohen këto institucione.
29 ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës në krye me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg u takuan edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, deri vonë koordinator kombëtar për NATO-n në Maqedoni.
Pasditen e sotme Stoltenberg do të mbajë ligjëratë edhe në Fakultetin Ekonomik, ,ku pritet të fokusohet në përfitimet ekonomike që i sjell anëtarësimi. Ai vetë në më shumë drejtime theksoi se shkalla e investimeve të huaja në vend, këtë vit është tre herë më e lartë se vitin e kaluar, duke e lidhur këtë me sigurinë e anëtarësimit në aleancë. /ABC News Albania 24/7