Pas kundërshtimeve të vazhdueshme për krijimin e ushtrisë së Kosovës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, me anë të një telefonate, i ka bërë të ditur kryeministrit të Kosovës Haradinaj, se vitin e ardhshëm do të rishihet angazhimi NATO-s në vend.
Me anë të një bisede telefonike, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka komunikuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, se pas zhvillimeve të fundit për sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të rishihet angazhimi i NATO-s në vend. Një deklaratë për mediat që konfirmon këtë telefonatë, sqaron se Stoltenberg ka njoftuar Haradinaj se “Këshilli VerioAtlantik pati një diskutim fillestar mbi ligjet e miratuara së fundmi mbi transicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mediat kosovare shkruajnë se sipas kësaj deklarate NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar një ambient të sigurtë në Kosovë. KFOR-i vepron në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi transicionin e FSK-së, vijon më tej deklarata. Pak ditë para votimit në Kuvend të ligjeve të FSK-së, Stoltenberg kishte biseduar në telefon me Haradinaj, të cilit i kishte thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri është në kundërshtim me këshillat e shteteve anëtare të NATO-s. Nga ana e tij në profilin në Facebook, kryeministri Haradinaj konfirmoi bisedën duke shtuar se i kishte premtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se ushtria e Kosovës do të jetë factor në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon./abcnews.al