Stoltenberg: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO varet nga referendumi për emrin

schedule12:48 - 26 Qershor, 2018

schedule 12:48 - 26 Qershor, 2018

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të qartë se pa finalizimin e marrëveshjes për emrin, Maqedonia nuk do të mund të bëhet anëtare e plotë e Aleancës Ushtarake. Sipas tij, rëndësi të veçantë ka rezultati i referendumit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se pret që liderët e vendeve anëtare të Aleancës në Samitin në Korrik të marrin vendim për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim të tërësishëm të Maqedonisë në NATO.

Ai bëri të ditur se pret që të arrihet marrëveshje që Maqedonia të ftohet në anëtarësim të plotë dhe të fillojnë bisedimet për anëtarësim. Por nënvizon se pranimi i vendit do të varet nga zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë, më konkretisht rezultati i referendumit.

“Pres që shefat e shteteve dhe qeverive të merren vesh për bisedime për anëtarësim, pastaj do të mund të ftojmë Maqedoninë që të bëhet anëtare e plotfuqishme, në rast të finalizimit të marrëveshjes. Finalizimi nënkupton ratifikim të tërësishëm, referendum dhe votim pozitiv, nëse kjo ndodh jam optimist”, përsëriti Stoltenberg.

Ai tha se nëse marrëveshja për emrin nuk kalon në referendum, Maqedonia vështirë se do të marr ftesë për në NATO. Ndërkohë, NATO ka sqaruar për mediat maqedonase se sekretari i përgjithshëm Stoltenberg pret “fillimin” e negociatave inkuadruese në Samitin e ardhshëm të NATO-s më 11 dhe 12 Korrik.

Por saktëson se ato negociata “mund të rrumbullakësohen vetëm pasi të finalizohet marrëveshja, duke përfshirë edhe referendumin”, ku kuptohet, duhet të pranohet marrëveshja për emrin./abcnews.al