Të hënën, Kuvendi nisi sesionin e ri parlamentar, i cili ndryshe nga herët e tjera, gjeti jashtë saj një nga aktorët kryesorë politik në vend siç është PD-ja e. Nga ana tjetër, PS vjen pas zgjedhjeve të 30 Qershorit me 61 bashki të fituara.
Deputetja Klotilda Bushka, e ftuar në ABC News këtë të mërkurë, deklaroi se PS do të bashkëpunojë së pari me opozitën parlamentare për sa i përket reformave që duhen ndërmarrë në lidhje me axhendën e Shqipërisë për integrimin evropian.
Për sa i përket marrëdhënies me PD-në, Bushka deklaroi të njëjtin qëndrim si përpara zgjedhjeve të 30 Qershorit, PS nuk ka për të pranuar negociata për pushtet në tavolinë.
“Klima politike në vend? Kemi përgjegjësi shumë të madhe të bashkëpunojmë me opozitën parlamentare së pari në lidhje me disa reforma, përfshirë dhe reformën zgjedhore, por edhe për zbatimin e reformës në drejtësi sepse Kuvendi së shpejti duhet të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar të paktën dy vakanca. Ky është hap përpara në zbatimin e reformës në drejtësi. Sa i takon bashkëpunimit politik me aktorët që nuk janë në Kuvend e kemi dhe njëherë të hapur sa i takon reformës zgjedhore. E kemi shprehur disa herë që po të jetë çështja për të negociuar për çështje të ndryshme brenda kornizave kushtetuese jemi të gatshëm për gjithçka, por negociata siç kanë kërkuar për pushtet në tavolinë nuk kanë për t’u pranuar”, tha Bushka gjatë një interviste me Mirela Milorin./abcnews.al