I shqetësuar nga statusi që Shtetet e Bashkuara i dhanë Jeruzalemit, Recep Tayip Erdogan e ka ngritur çështjen në një takim me Papa Françeskun. Ndërkohë, një grup ekstremistësh në Itali ka protestuar kundër vizitës së presidentit turk në Romë.
Gjatë qëndrimit në Romë, presidenti turk Recep Tayip Erdogan është pritur nga Papa Françesku në selinë e shenjtë të Vatikanit. Takimi, siç raportojnë mediat italiane, është zhvilluar në një klimë të ngrohtë e miqësore. “Ju falenderoj për interesin tuaj”, i ka thënë Erdogan Papës kur kanë shtrënguar duart. Nga ana e tij, ati i shenjtë e ka falenderuar mysafirin për vizitën. Ai ia ka përcjellë mesazhin e tij presidentit duke i dhuruar një medalion me një ëngjëll. “Ky është një ëngjëll i paqes, që zë për fyti djallin e luftës.
Është simbol i një bote që bazohet tek paqja dhe drejtësia”, i ka thënë Papa Erdoganit. Ndër të tjera, në takim është diskutuar për situatën në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë tek statusi i Jeruzalemit dhe tek nevoja që konfliktet të zgjidhen përmes dialogut, në respekt të të drejtave të njeriut dhe atyre ndërkombëtare. “Në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet dypalëshe mes Selisë së Shenjtë dhe Turqisë dhe është folur për situatën në vend, për kushtet e komunitetit katolik, për pritjen e refugjatëve dhe sfidat që lidhen me këtë fenomen”, thuhet në një njoftim për shtyp të Vatikanit. Ndërkohë, gjatë takimit një grup manifestuesish, mes të cilëve anëtarë të komunitetit kurd në Itali, ka protestuar kundër vizitës së Erdogan në Romë. Korteu është nisur drejt sheshit të Shën Pjetrit, por është ndalur nga policia.
Mes palëve janë verifikuar përplasje dhe dy persona kanë mbetur të plagosur. Më vonë gjatë ditës, presidenti turk është pritur në një takim nga homologu italian Sergio Mattarella. Në përfundim të takimit, Erdogan ka deklaruar se mes Turqisë dhe Italisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira./abcnews.al