STATISTIKA / Stresi i lartë nga karantinimi gjatë epidemisë rriti dhunën në familje

schedule14:40 - 23 Maj, 2020

schedule 14:40 - 23 Maj, 2020

Në këtë kohë pandemie shtëpitë nuk kanë qenë shumë të sigurta për një numër të grave që kanë përjetuar dhunën në familje.

Statistikat e Policisë së Shtetit, tregojnë se kurba e këtij fenomeni ka qenë në rritje.

Kjo kurbë në rritje, nga policia shpjegohet me stresin e lartë nga karantinimi.

Burime pranë policisë pohuan për ABC News se në familjet shqiptare gjatë 3 muajve të fundit janë shënuar rreth 650 episode mosmarrëveshjesh në familje, ku kryeson dhuna, kanosja dhe shkatërrimi i pronës.

Për  400 nga rastet e evidentuara, janë plotësuar në polici kërkesat për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, e që më pas kanë vijuar edhe në gjykatë me vendimet për mbrojtje.

Të njëjtat burime sqaruan se numri më i lartë i dhunës në familje është regjistruar në muajin Mars, me 249 raste me 90 autorë të proceduar dhe 33 të arrestuar.

Për 3 muaj me radhë, i gjithë vendi u izolua në karantinë, për shkak të përhapjes së virusit COVID-19 edhe në vendin tonë./abcnews.al