Stano: Arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia, shqetësues

schedule19:39 - 19 Prill, 2024

schedule 19:39 - 19 Prill, 2024

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter, Stano, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se ngjarjet e fundit, që kanë të bëjnë me ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës në Serbi, janë shqetësuese.

Serbia, sipas autoriteteve kosovare, i ndaloi dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës së fundmi, në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës me kombësi serbe. Që të gjithë u liruan deri më 18 prill.

Policia serbe kishte thënë se ata ishin dërguar në mbajtje për “kontrolle sigurie”.

Duke nënvizuar se të gjithë zyrtarët policorë janë liruar tashmë, Stano tha për REL-in se “askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveç nëse është e arsyeshme dhe në përputhje me procedurën e përcaktuar me ligj”.

“Për më tepër, Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut me mbështetjen e BE-së përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia, dhe ajo duhet të respektohet”, tha Stano.

Ai shtoi se BE-ja pret që palët në dialog të shmangin çdo lëvizje që mund të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin dhe ta sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e dialogut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!