Sipas agjencisë ruse të lajmeve” Sputnik”, NATO nuk ka asnjë arsye për të ndërtuar një bazë ushtarake në Shqipëri, dhe për më shumë nuk ka as buxhetin prej 50 milionë eurosh që duhen për ndërtimin e saj.
Rusia shprehet kundër ndërtimit të bazës ushtarake të NATO-S në Shqipëri. Në një shkrim të agjencisë ruse të lajmeve “Sputnik”, Sergei Ermakov ish-politikan dhe aktualisht pjesë e bordit të Institutit rus për studime strategjike, shprehet se duhet pasur kujdes para se të besohen deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ai referohet deklaratës për ndërtimin e një baze të NATO-s në Kuçovë, e cila do të kushtojë rreth 51 milionë euro.
Pavarësisht deklaratës të zëdhënësit të NATO-s Kazalet një ditë më parë, i cili konfirmonte ndërtimin e bazës në vendin tonë, Ermakov tha se NATO nuk ka asnjë arsye për të ndërtuar një bazë në Shqipëri. Dhe pse një ide e tillë nuk e habit aspak. Ai shtoi se gjatë samitit të fundit të NATO-s, vendet anëtare ranë dakord që të shtojnë praninë ushtarake në kufijtë jugorë, dhe Ballkani është shumë i rëndësishëm për arritjen e kësaj marrëveshjeje, pasi do të kishin akses të drejtpërdrejtë në rajonet e detit Mesdhe dhe të Detit të Zi. Rajone që mund të përbëjnë rrezik për aleancën.
Për “Sputnik” ka folur dhe ish-drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Beograd, Dusan Prorokovic. Ai u shpreh se kryeministri shqiptar Edi Rama dëshiron vetëm të ketë një marrëdhënie të mirë me administratën Tramp, dhe për këtë arsye do të japë diçka në këmbim, përndryshe sipas tij nuk ka asnjë arsye tjetër për ndërtimin e kësaj baze. Por ai këmbëngul se dhe nëse NATO do të ndërtojë diçka në Shqipëri, ajo nuk do të jetë një bazë ushtarake e mirëfilltë.
Ermakov, në fund shton se një bazë e vetme ushtarake e NATO-s në Shqipëri nuk përbën asnjë rrezik për Rusinë, pavarësisht retorikave anti ruse që qarkullojnë ditët e fundit. /abcnews.al