Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në Edicionin e 6-të Ndërkombëtar të shahistëve frankofonë, ku njoftoi se loja e shahut do të bëhet pjesë e të gjitha shkollave të kryeqytetit.
Aktiviteteve sportive ne shkollat e kryeqytetit do t’iu shtohet dhe loja e shahut. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Kombëtare të Shahut, do të hartojë një program për zhvillimin e sportit të shahut për të gjitha shkollat e Tiranës.
Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, përmes këtij projekti synohet masivizimi i këtij sporti tek të rinjtë.
“Është shumë mirë që të rinjtë po merren me sporte fizike, me basketboll, futboll, volejboll, por edhe sporti i mendjes është po aq i rëndësishëm. Ndaj, mezi pres që, të hartojmë një program për të gjitha shkollat tona, si një mundësi fantastike për të rinjtë, të ndjekin kurse shahu në shkollat komunitare”.
Veliaj ishte i pranishëm në Edicionin e 6-të Ndërkombëtar të shahistëve frankofonë, turneu i parë ndërkombëtar i shahut në Tiranë, me pjesëmarrjen e 132 shahistëve nga 22 vende të ndryshme të botës.
Sipas tij, Bashkia e Tiranës synon që ta kthejë këtë kampionat në një stacion të përvitshëm, duke inkurajuar jo vetëm sportin e shahut, por edhe gjenerimin e ekonomisë së qytetit
“Tirana është bërë shtëpia e shahut të frankofonisë. Jam shumë entuziast mbi potencialin që kemi, jo vetëm për të krijuar aktivitete ndërkombëtare, por për të pasur një përditshmëri të angazhimit, sidomos të të rinjve dhe të fëmijëve me shah”.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se në tre vitet e fundit Tirana është kthyer në një qendër të rëndësishme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, jo vetëm kombëtare, por edhe atyre ndërkombëtare./abcnews.al