Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në “Log” me Endri Xhafon ka komentuar mbrëmjen e së martës ngjarjet e fundit politike në vend.
I pyetur nëse nisma rajonale “Open Balkans” është një proces i nxitur nga miliarderi George Soros, Bamir Topi solli në vëmendje se kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur asnjëherë miqësinë më të dhe në këtë rast njerëzit kanë të drejtë që ngrenë pyetje të tilla. Në një proces të tillë, sipas ish-presidentit janë institucionet ato që duhet të flasin.
Duke komentuar prezencën Alexander Soros në darkën informale që kryeministri pati ditën e djeshme me presidentin serb dhe kryeministrin maqedonas, Topi shprehet: “Ky është një problem, duke dëgjuar shumë zëra për ndërhyrje të panevojshme në një proces ku duhet të jenë institucionet që flasin. Kryeministri s’e ka fshehur miqësinë me Soros…Nuk justifikohet mos përfshirja e komisionit të politikës së jashtme. Kur diskuton çështje kaq të rëndësishme, e realizohen vetëm në studio televizive dhe jo në parlament, çfarë vendi jemi ne?”
Ndërsa, duke u ndaluar te kriza aktuale në Partinë Demokratike tha se kauza politike 30-vjeçare e kësaj partie politike po dominohet aktualisht nga interesat e dy individëve.
I pyetur se cilat mund të jenë arsyet që DASH shpalli person “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, Topi tha se nuk mund të komentojë vendimet e marra nga një departament kaq i lartë.
“Rikonfirmoj, jam me bindjen time se politika amerikane është thellësisht institucionale. Kur merret një vendim nga DASH të jeni i bindur se ka raporte paralele. Sesi kanë ardhur nuk mund di ta them. Ata kanë shprehur qëndrimin e tyre dhe do të vijë dita që ndoshta i bëjnë të qarta vetë arsyet.”
Ish-presidenti hodhi po ashtu poshtë zërat se kishte marrë një ftesë për të qenë prezent në Kuvendin e 18 dhjetorit.
Por cili nga dy Kuvendet është legjitim sipas Bamir Topit?
Ish-presidenti thekson se dy individë po dominojnë mbi kauzën politike të PD-së ndërsa shton se ai që do të vijojë është një “spektakël negativ që do të lidhet me emrin dhe historinë e PD.”
“…ajo që po ndodh sot që me gjasë do të vazhdojë, dhe do të na dhurojë një spektakël tepër negativ lidhur me emrin dhe historinë e bukur të PD. Për hir të një përplasjeje individuale , kjo histori degradon në këtë pikë. Unë kam bërë një propozim dhe e ritheksoj: a është kauza politikë që dominon individin apo individi mbi kauzën politike? Kauza politike e historisë 30-vjeçare e asaj politike po dominohet nga interesat e dy individëve.”
Për Topin, PD e ka mbyllur cikli e saj historik dhe tashmë është koha për një ruajtje të vlerave dhe për daljen e një kauze për të ndërtuar një front të ri të së djathtës moderne. Por që kjo e djathtë e re të jetë moderne, shton Topi, strukturat nuk duhet të shkojnë pas individit por pas kauzës. /abcnews.al/