Portugalia dhe Spanja dhanë spektakël në përballjen e tyre në Rusi, duke u ndarë në barazim 3-3. Mbi të gjithë shkëlqeu Kristiano Ronaldo që shënoi 3 gola
Më në fund, në fushë dy gjigandë të futbollit.
Edhe pse rusët nuk do të ishin dakord, u duk sikur Botërori nisi me sfidën Portugali-Spanjë.
Kampionët e Europës dhe ish-kampionët e rruzullit dhe të kontinentit tonë dhanë një spektakël të vërtetë në duelin mes tyre në stadiumin e Soçit.
Kristiano Ronaldo u vu përballë yjeve të shumtë e të mëdhenj spanjollë dhe ia doli t’i ndalonte.
Superlojtari portugez shënoi 3 gola, me çdo mënyrë, edhe me penallti, edhe me gabim të portierit kundërshtar, De Gea, por edhe me goditje dënimi, për të vendosur kandidaturën si shënuesi më I mirë I Botërorit, dhe si fitues i Këpucës së Artë.
Në moshën 33-vjeçare i tregoi gjithë planetit, por veçanërisht presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, se mbetet i jashtëzakonshëm dhe se meriton çdo rrogë që mund të kërkojë.
Spanja e mrekullueshme e ndjeu skandalin që i ndodhi dy ditë para ndeshjes, me shkarkimin e ish-trajnerit Lopetegi.
Edhe pse ishte ekipi më i mirë në fushë, me thuajse çdo lojtar një kampion të madh, u tregua e pasigurt, pikërisht për shkak të tronditjes në stol.
De Gea gaboi, ashtu si edhe yjet e mbrojtjes, Naço, Ramos, Pike, Zhordi Alba apo Buskets përpara tyre.
Gjithsesi, Spanjë do të thotë spektakël dhe dominim, diçka që u pa në pjesën më të madhe të kohës në Soçi.
Diego Kosta është sulmuesi me numrin 9 që i duhet trajnerit Hierro, ndërsa Isko, Iniesta e David Vija është mesfusha padyshim me klasin më të lartë në Botëror.
Kjo Spanjë kaloi provën më të vështirë, atë të Kristiano Ronaldos, dhe e sheh të ardhmen me optimizëm, por duhet të lerë prapa sa më shpejt atë që ndodhi me trajnerin.
Dy ekipet kanë nga 1 pikë, duke qenë prapa Iranit, por është thuajse e sigurt se do të jenë ata dominuesit e grupit B. /abcnews.al