Prokuroria Speciale e ka thirrur sërish kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit. Ky zhvillim është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së tij, Përparim Kryeziu.
Kjo është ftesa e dytë brenda pak ditësh, që Prokuroria ka dërguar në adresë të Kurtit. Por Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur kushte, duke theksuar se janë gati të presin prokurorët në zyrë, madje kanë përcaktuar edhe orare.
“Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se presin përgjigje pozitive “meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, shkruan Kosova Press.
Në fillim të kësaj jave, Kurti nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, me arsyetimin se është jashtë vendit.