Specializimet në mjekësi/ Gjata: Nuk ka interes për specializim për sëmundjet e brendshme

schedule15:30 - 8 Mars, 2024

schedule 15:30 - 8 Mars, 2024

SHQIPËRI- Në shëndetësinë shqiptare ka mungesa jo vetëm për mjekë urgjence e familjeje, por edhe për mjekë internistë. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, thotë se ky profil është ndër ata që pak preferohen nga studentët e mjekësisë për specializim.

“Mjeku intern, nga vetë formimi që ka mund të bëjë rolin e karidiologut, endokrinologut dhe sidomos në Shqipëri kur numri i popullatës në zona të caktuara është shumë i ulët mund të kishte një apo dy mjekë internistë, të cilët mund të përmbushin nevojë që mund të kishte ajo zonë”, tha ai.

Në fund të muajit mars hapen kuotat e reja për specializimet në mjekësi. Prioritet edhe për këtë vit mbeten mjeku i familjes dhe ai u urgjencës, pasi kërkesat e studentëve për këto degë mbeten shume të ulëta.

“Pjesën praktike ata ta bëjnë aty ku punon ose ta bëjnë në urgjencën kombëtare. Pjesën teorike do ta bëjnë tek ne dhe ajo pjesa e urgjencës intraspitalore do të bëhet në spital, pjesa tjetër do të bëhet atje ku janë dhe gjithashtu sa i përket mjekut familje, pjesën praktike e kemi menduar ndryshe nga vitet e tjera, ata të mos vijnë gjithë në QSUT, por mund ta zhvillojnë duke i caktuar edhe një mentor në spitale rajonale apo bashkiake”, tha ai.

Krahas heqjes së konkursit për studentët që do të zgjedhin këto dy specializime, këtë vit do të ketë edhe lehtësira të tjera. Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, tregon se si po menaxhohet mungesa e këtyre mjekëve në sistemin tonë shëndetësor.

“Urgjencat kombëtare ka një ekip të tërë dhe pjesa e tyre më e madhe e tyre nuk kanë specializimin, janë mjekë të përgjithshëm, që kanë bërë kurse trajnimi dhe do ishte mirë që ata ta kishin dhe specialitetin. Mjekët e përgjithshëm kanë punuar edhe mjekë të përgjithshëm në Shqipëri”, tha ai.

Degët më të preferuara nga studentët e mjekësisë për specializim janë kirurgjia, kardiologjia, endokrinologjia dhe dermatologjia/ abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!