SPECIALE/ Dritë-hijet e muzeut ateist, zbardhen copëza “dosjesh”

schedule12:31 - 6 Qershor, 2020

schedule 12:31 - 6 Qershor, 2020

Një gjurmë e një rëndësie të lartë, e pa publikuar deri tani, që do hapë plagët e vjetra, ndodhet në muzeun Historik të Shkodrës.

Në arkivin e këtij muzeu janë vendosur librat e përshtypjeve.

Ne mundëm të shkëpusim disa nga to.

Tek i nxjerrim nga pluhuri, disa të pathëna dikur të vlefshme, por sot të rrezikshme kuptojmë qartë urrejtjen që kishte ai sistem për klerin, por edhe ndikimi që kishte tek populli.

 “E ky muze i ngritur në qytetin e Shkodrës (i pari në botë) është një thikë e mprehtë për gjithë klerin botëror, e imperialist e social-imperialistëve e revizionistëve në përgjithësi dhe për ne një shëmti e së kaluarës që ne duhet ta ruajmë që t’ia tregojmë brezave”, thuhet në një citim.

“Kjo është pjesë e propagandës, në çdo rresht që lexohet, në atë që janë mendimet e personave që kanë shkruar, ndjehet në nivele shumë të larta ajo urrejtja që kanë ndaj kishës, ndaj lirisë dhe ndaj asaj që është kapitalizmi”, thotë Amila Gjyrezi, Drejtoreshë e Muzeut Historik të Shkodrës.

Por ku e ka zanafillën kjo urrejtje?

Hovin e pati në vitin 1945, ku u pushkatuan pa gjyq klerikët e parë Dom Lazër Shantoja dhe Dom Ndre Zadeja.

Diktatura komuniste vijoi dhe me gjyqe kolektive. I pari ishte dënimi i anëtarëve të organizatës “Bashkimi Shqiptar” në mars të vitit 1946, ku u pushkatuan 6 persona dhe u mbyllën nëpër burgje edhe 33 të tjerë.

Drejtori i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, Pjerin Mirdita tregon me detaje se si u masakruan ky grup, pasi më parë i bënë shembull. I nxorën jo pa qëllim nëpër rrugë, që qytetarëve të rastit t’ju dridheshin këmbët, dhe t’ju mbyllej goja.

 “Gjyqi u zhvillua në Shkodër në Kinema Rozafa, kemi pamje fotografike të atij gjyqi, të akuzuarit  u shëtitën në një farë mënyre në qendër të qytetit të Shkodrës, të rrethuar nga partizanë dhe nga një turmë që shprehte të gjithë dufin karshi tyre. Ishte një gjyq që kishte prokuror Aranit Çelen i cili kërkoi 11 dënime me vdekje. Gjykata me në krye Mustafa Iljazin akordoi 6 të tilla. U ekzekutuan me vdekje pushkatim në mars të vitit 1946 At Giovanni Fausti, At Gjon Shllaku, At Danjel Dajani, bashkë me ta u ekzekutuan, Mark Çuni si organizator de fakto i kësaj organizate “Bashkimi Shqiptar” dhe bashkë me të Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi”, thotë Mirdita.

Librat e përshtypjeve janë një fakt domethënës që sot ruhen si relike të asaj kohe, ku mes imponimit ose jo shkruhej një pjesë e historisë së frikshme dhe të errët të vendit tonë nga viti 1945 deri në vitin 1991.

 “Muzeu Ateist, muze i krijuar zyrtarisht në vitin 1973 deri në 1990-ën. Shumë objekte të këtij muze ndodhen edhe në Muzeun Historik të Shkodrës. Një pjesë e rëndësishme është edhe Libri I Përshtypjeve, që tregon pak a shumë dhe vë në kontakt, personin që lexon përshtypjet, me atë që ka qenë propaganda komuniste në periudhën e diktaturës. Flasim për persona që mund të kenë ardhur, të vizitojnë muzeun, grupe të vogla, edhe grupe shqiptare por edhe të huaja. Në grupet e huaja spikasin grupet, psh, grupe italiane e franceze, grupe që kanë qenë pjesë e të majtës ose Partisë Komuniste franceze ose italiane”, thotë Amila Gjyrezi, Drejtore e Muzeut Historik të Shkodrës.

Urrejtja ndaj klerit mori përmasa dhe më të mëdha sa në vitin 1967, kur Shqipëria shpallet shtet ateist. U përcaktuan edhe në Kushtetutë në nenin 37 dhe 55 të saj.

Dënimet për shkelësit e ligjit nuk munguan.

“Ky proces nuk u ndërpre asnjëherë. U shtri në disa faza, kemi fazën e parë, pastaj kemi vitet 50-të ku një numër i madh klerikësh u dënua dhe kjo lidhet me çështjen e statuteve, sidomos me statutin e Kishës Katolike, po ashtu edhe me mbledhjet që organizonte kisha ortodokse shqiptare, dhe një numër i lartë klerikësh u dënuan dhe gjatë asaj periudhe. Dhe pastaj cikli përfundimtar ishin vitet 60-të. Në vitin 1967-të ishte dhe ai viti që komunistet ëndërronin kishën në një spastrim final, një spastrim përfundimtar duke dënuar klerik që ishin ende gjallë. Dhe i fundit klerik që u ekzekutua ishte Dom Mikel Beltoj”, tha Pjerin Mirdita.

 Duhet të kemi të qartë që kemi të bëjmë me dy doktrina të kundërta. Kleri në përgjithësi mbështetet te fjala e Zotit, tek librat e shenjtë. Në anën tjetër kemi komunizmit që në themel të doktrinës së vetë ka revolucionin e përhershëm, revolucionin e pa ndërprerë, luftën e klasave. Nëse i krahasojmë këto dy doktrina, luftën e paqes së përhershme dhe doktrinën e luftës së klasave, këto dy doktrina nuk mund të bashkëjetojnë. Feja në diktaturë është e shtrënguar të pësoj ose të bëjë lëshime për të bashkëjetuar me sunduesit”, thotë Eduard Grishaj, Studjues.

Një nga librat e përshtypjeve të Muzeut Ateist ndodhet edhe në Muzeun Dioqezian të Shkodrës të ngritur së fundi. Mes tyre ka shumë relike dhe antikuarë, që regjimi komunist i mblodhi në për kisha. Ndërsa komentet e vizitorëve të lëna në Librat e Përshtypjeve janë gjurmë të vërteta dhe domethënëse për të kuptuar shpëlarjen e trurit.

 “Jemi dy të rinj nga rrethi i Kavajë. Pamë muzeun dhe na bënë shumë përshtypje materialet e shumta që ishin mbledhur ku duket qartë se sa i robëruar është populli jonë nga padija që i bënte kisha. Po Partia jonë si gjithmonë krenare e fitimtare i zhduku këto besëtytni fetare”, lexuam  në një nga përshtypjet.

Janë shumë pak gjurmë të këtij muzeu, i cili në dukje propagandonte një urrejtje të madhe ndaj besimeve fetare, po në realitet ishte luftë ndaj klerikëve të mençur, që shiheshin si rrezik për pushtetin.

Lidershipi i diktaturës ishte ku e ku më inferior jo vetëm nga pikëpamja intelektuale dhe nga pikëpamja e veprave apo e përvojës veprimtare të tyre në dobi të shoqërisë. Ata kishin nevojë të rrisnin mitin e tyre dhe u kapën fort pas rezultateve të luftës dhe duke i ekzagjeruar ato”, thotë studiuesi Grishaj.

Fotografitë e kohës, por edhe dokumentarët tregojnë sa e ashpër ishte kjo luftë. Ndërsa librat e përshtypjeve që datojnë nga viti 1973 e deri në vitin 1990-të janë gjurmë të asaj histerie të pushtetit komunist që përmes propagandës ngjallte për disa frikë, edhe për të tjerë admirim.

Këto janë mini dosje që nëse zbardhen ndonjëherë do trazojnë ata që dirigjuan luftën e klasave, asgjësuan klerikët, por do hapin dhe plagët e familjarëve të viktimave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!