Spanjë, zjarr në ishujt Kanare, evakuohen 1 mijë persona

schedule15:32 - 12 Gusht, 2019

schedule 15:32 - 12 Gusht, 2019

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sipërfaqe të dendura pyjesh në ishullin Gran Kanaria në Spanjë, duke kërcënuar qytete të ndryshme. Për arsye sigurie, autoritetet kanë evakuuar rreth 1 mijë persona, ndërsa zjarrfikësit po mundohen t’i shuajnë flakët nga ajri.

Rreth 1 mijë persona janë evakuuar nga ishulli Gran Kanaria në Spanjë, pasi një zjarr masiv u përhap drejt parkut kombëtar dhe një zone të populluar me turistë.

Zjarrfikësit përdorën avionë dhe helikopterë për të vënë nën kontroll flakët, që ndodheshin rreth 32 kilometra larg kryeqytetit Las Palmas.

Zjarri përbën kërcënim për qytete të ndryshme si dhe për parkun kombëtar Tamadaba, që ndodhet në perëndim të ishullit.

Pamje të publikuara tregojnë zjarrin masiv të përhapet në një pyll pranë qytetit Hukalijo. Dëshmitarja Karla Rodrigez, që realizoi filmimet, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se e kishte vënë re zjarrin teksa po shkonte në një event festiv.

“Hera e parë që e pash zjarrin po shkonim në festival dhe e kuptova se sa afër ishin flakët. Nuk prisja që zjarri të ishte kaq i fuqishëm pasi kisha lexuar se ishte nën kontroll”, deklaroi Rodrigez.

Dëshmitarja bëri me dije se në kthim vendosi të shihte sërish dhe konstatoi se shumica e zjarrit kishte avancuar, duke dalë jashtë kontrollit.

Policia ndërkohë dyshon se zjarri është shkaktuar nga dikush që ka përdorur një hekur të salduar. Një 55-vjeçar u arrestua ditën e shtunë si i dyshuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!