Spanjë, ETA në prag të shpërbërjes, kërkon falje për krimet

schedule21:02 - 20 Prill, 2018

schedule 21:02 - 20 Prill, 2018

Teksa pritet që të njoftojë shpërbërjen e saj, organizata separatiste baske ETA ka kërkuar falje për krimet e saj. Por familjarët e viktimave nuk e kanë pranuar apologjinë, duke e cilësuar atë një farsë për të larë duart.

Organizata separatiste baske ETA, e cila në javët e ardhshme pritet të shpallë shpërbërjen, u ka kërkuar të premten falje familjarëve të viktimave të shkaktuara nga dhuna e përdorur prej saj. Në një deklaratë për shtyp, organizata është shprehur e vetëdijshme se me aktet e saj u ka marrë jetën edhe personave që nuk kanë patur lidhje me betejën për pavarësinë e rajonit bask. “Jemi të vetëdijshëm se përgjatë këtij konflikti të armatosur kemi shkaktuar shumë dhimbje dhe dëme të pandreqshme. Tani duam të tregojmë respekt për të vrarët dhe të plagosurit. Kërkojmë sinqerisht falje”, thuhet në deklaratë. Militantët e ETA-s kanë vrarë mbi 800 persona në betejën 40-vjeçare për të kthyer në shtet zonën në veri të Spanjës dhe në kufi me pjesën jug-perëndimore të Francës. Por Shoqata e Viktimave të Terrorizmit ka reaguar duke e konsideruar apologjinë një pjesë së strategjisë së ETA-s për të fshehur përgjegjësinë dhe për të manipuluar historinë, me qëllim që të pastrojë të kaluarën e saj kriminale. ETA u shfaq për herë të parë në fillim të viteve ‘60 si një lëvizje studentore që kundërshtonte diktaturën ushtarake të gjeneralit Francisco Franco. Gjatë pushtetit të Francos, gjuha baske ishte e ndaluar, kultura e rajonit e nënshtruar dhe intelektualët të burgosur e të torturuar për shkak të qëndrimeve politike. Vdekja e Francos në vitin 1975 dhe tranzicioni për në demokraci bëri që rajoni me 2 milionë banorë të kërkonte vetëqeverisjen. Shumë prej viktimave të organizatës ishin anëtarë të policisë spanjolle, Gardës Civile, si dhe politikanë të pushtetit qendror dhe lokal që kundërshtonin kërkesat e saj separatiste. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!