Spanja po avancon me një ligj të ri anti-duhan, i cili do të ndalojë pirjen e duhanit dhe përdorimin e cigareve elektronike në një sërë hapësirash publike në natyrë, përfshirë tarracat e bareve dhe restoranteve si edhe plazhet detare dhe lumore. Projektligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe tani duhet të kalojë procedurat parlamentare përpara se të hyjë në fuqi.
Masat kryesore të parashikuara janë:
- Ndalimi i duhanit dhe cigareve elektronike në tarracat e lokaleve.
- Ndalimi në plazhe, pishina publike, impiante sportive, parqe kombëtare dhe ambiente ku zhvillohen aktivitete publike në natyrë.
- Krijimi i një zone mbrojtëse prej 15 metrash rreth hyrjeve të spitaleve, shkollave, universiteteve, muzeve, bibliotekave dhe këndeve të lojërave për fëmijë.
Ligji parashikon gjithashtu:
- Trajtimin e cigareve elektronike, vape-ve, nargjileve dhe produkteve të tjera me nikotinë me të njëjtat kufizime si duhani tradicional.
- Ndalimin e konsumimit të produkteve të duhanit nga të miturit nën 18 vjeç, jo vetëm ndalimin e shitjes së tyre.
- Kufizime më të forta për reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e produkteve të duhanit.
Qeveria spanjolle argumenton se ndryshimet synojnë të mbrojnë shëndetin publik dhe të ulin ekspozimin ndaj tymit pasiv. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duhani shkakton rreth 50,000 vdekje çdo vit në Spanjë. Megjithatë, projektligji ka hasur edhe kundërshtime nga sektori i hotelerisë dhe restoranteve, i cili paralajmëron se ndalimi i duhanit në tarraca mund të ketë ndikim negativ te bizneset dhe turizmi.


