Spanja dhe Portugalia janë favorite për kualifikim në Grupin B të Kupës së Botës. Gjithsesi, Irani ka synimet e veta, ndërsa Maroku mbetet i rrezikshëm.
Fati i tyre vendoset sot. Spanja dhe Portugalia luajnë ndeshjet e fundit në grupin B, që përcaktojnë kualifikimin ose largimin nga Botërori. Spanjollët udhëtuan për në Krasnodar, ku do të luajnë ndaj Marokut, tashmë të eleminuar. Ish-kampionët e botës dhe të Europës janë përgatitur fort, për të ndryshuar imazhin e krijuar nga sfidat ndaj Portugalisë dhe Iranit. Trajneri Hierro pyetet sesi i bën llogaritë për kualifikimin.
Fernando Hierro: “Detyrimi ynë është të luajmë një ndeshje të nivelit të lartë, të marrim tri pikët, dhe nëse dalim në vend të parë në grup, do të ishte më mirë. E dimë se çfarë sfide do të jetë ndaj Marokut, një kundërshtar shumë i fortë, që luajti shumë mirë ndaj Iranit, dhe Portugalisë. Duhet të tregojmë stilin tonë, karakterin tonë dhe formën tonë për t’ia dalë”.
Maroku, ndërkaq, ka planet e veta. Trajneri Herve Renar pranon se Spanja ka cilësi të jashtëzakonshme, por nuk heq dorë nga synimi për të fituar.
“Është e padrejtë që jemi të eleminuar, por ky është realiteti, – tha ai, – ne duam të luajmë mirë, të shpëtojmë nderin dhe të fitojmë”.
Portugalia, ndërkaq, ka mbërritur në Saransk, ku do të luajë ndaj Iranit. Një pikë mjafton për kualifikimin, por synohet vendi i parë në grup, ndaj duhet luajtur në maksimum për fitoren.
Fernando Santos: “Ne e kemi parë se Irani është një skuadër shumë e organizuar, dhe kjo nuk po ndodh vetëm në Botëror. Ata kanë lojtarë me cilësi, që luajnë në Spanjë, Greqi apo Rusi, ata kanë përvojë të dy kupave të botës radhazi. Irani është ekipi më i mirë i Azisë. Ne duhet të përgatitemi për një betejë të fortë nëse duam të fitojmë. Nuk e quajmë veten favoritë”.
Irani ka shpresë për kualifikim, por duhet të fitojë ndeshjen. Trajneri Queiros thekson se “Portugalia është kandidate për të fituar Kupën e Botës, por filozofia jonë nuk do të ndryshojë, do të bazohet tek respekti, realizmi dhe romantika”.
Spanja e Portugalia kryesojnë grupin B me nga 4 pikë, ndërsa Irani ka 3. Në rast barazimi me pikë, kualifikimi vendoset nga golat, madje edhe nga kartonët./abcnews.al