Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar një dënim me 2.6 vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Këtë të martë u zhvillua seanca ku u dhanë konkluzionet për Belerin, nga dy prokurorët e posaçëm, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko.
Ndërkaq, për Pandeli Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg. Por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe të djalit, SPAK i kërkoi gjykatës pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për 4 vitet e ardhshme. Seanaca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, në orën 14:30.
“Të dy të akzuuar për korrupsion në zgjedhje. Prokurorët e posaçëm kanë kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për Alfed Belerin dhe dy vite burg për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi. Përpara se prokuroria të kërkonte dënimin e Belerit, ky i fundit i ka kërkuar gjykatës se procesi ndaj tij është i njëanshëm. Sipas tij, gjykata nuk ka marrë provat e paraqitura nga avokatët e tij. Prokuroria i ka thënë gjykatës se Beleri ka bashkëpunuar me Arsen Ramën, i penduari i drejtësisë. Bëhet fjalë për të paktën 8 vota, sipas një liste të paraqitur nga Arsen Rama. Për këto vota i është ofruar një shumë prej 50 mijë eurosh. Seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, në orën 14:30, ku më pas gjykata do të tërhiqet për vendim”, raportoi gazetari i ABC News, Ermal Vija.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.
Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia./abcnews.al