SPAK: Bardhi, asnjë kallëzim për Olsi Ramën/ Dumani: Regjistrojmë “21 janarin” sapo të mbërrijë dosja

schedule15:22 - 8 Korrik, 2024

schedule 15:22 - 8 Korrik, 2024

Në Prokurorinë e Posaçme nuk ka asnjë kallëzim të depozituar nga ana e deputetit të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi në lidhje me dosjen Xibraka.

Në një takim me gazetarët drejtuesi i SPAK, Altin Dumani konfirmoi se në drejtim të institucionit që ai drejton nuk ka asnjë kallëzim, ndryshe nga sa pretendon publikisht deputeti demokrat.

Ndërsa pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së lartë që urdhëroi nisjen e hetimeve për dosjen 21 janari, Dumani tha se SPAK do të regjistrojë procedimin penal sapo të mbërrijnë të gjitha dokumentet nga gjykata e lartë.

Referuar këtij të vendimi që u zbardh 3 ditë më parë, kërkohet nisja e hetimeve mbi  rolin që kanë patur drejtuesit më të lartë shtetërorë për vrasjen e 4 qytetarëve mes të cilëve ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesi i Gardës së Republikës Ndrea Prendi.

Familjarët e viktimave i kanë kërkuar prokurorisë ti hetojë si urdhërues dhe organizatorë të vrasjeve të të afërmve të tyre.

Dumani nuk preferoi të bëjë komente në lidhje me deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta, apo hetimeve që po zhvillohen në drejtim Metës dhe Monika Kryemadhit duke i konsideruar si sekret hetimor.

Nga ana tjetër kreu i SPAK pranoi se një problem mbeten çështjet e ekstradimit me autoritetet e emirateve të bashkuara.

Deri më tani SPAK ka kërkuar ekstradimin e 7 personave mes të cilëve edhe Durim Bami, por nuk ka ende një vendim nëse do vijnë në vendin tonë për tu përballur me drejtësinë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!