Protestat kundër investimeve strategjike në bregdet ishin në fokus të deklaratave të ish-nënkryetarit të PD-së, Edmond Spaho. I ftuar në emisionin “Real Story”, në Abc Neës ai i cilësoi ato të sajuara dhe me prapaskenë politike, ku sipas tij origjina e këtyre reagimeve vjen nga Europa dhe Kosova, me qëllim për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në një moment kyç të negociatave me BE-në.
“Nisja e menjëhershme, si me sustë, për një investim aq të madh, dukej se në prapaskenë kishte aktorë të interesuar, për dy arsye të mëdha: një, për të anuluar investimin; së dyti, është zgjedhur një moment ku Shqipëria është në periudhën më të avantazhuar për të mbyllur negociatat për integrimin në BE. Në Europë është origjina e protestës në Tiranë, duke shfrytëzuar ambientalistët, nga Kosova. Duke shfrytëzuar këto komente filluan një protestë që të prishë një investim me argumentet nga më qesharakët, ndërkohë që ende nuk ka një projekt, por një koncept investimi. Transparenca do të bëhet më vonë”.
Spaho mbrojti investimet strategjike në turizëm, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për projekte të mëdha që krijojnë vende pune dhe nxisin zhvillimin ekonomik. Ai tha se është shumë e vështirë të tërhiqen investime të përmasave të tilla dhe refuzimi i një investimi prej 4.5 miliardë dollarësh është i pajustifikueshëm.
“Unë gjykoj mbi bazën e mendimeve të mia dhe pozicionohem. Nuk pranoj të më imponohen. Për Zvërnecin mendoj se kam eksperiencë më shumë se ata që ngrihen dhe flasin. Kam punuar për 5-6 vite në turizëm kur u hartua strategjia e zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Është e vështirë të thithësh investime të tilla. Të thuash që nuk e duam një investim 4.5 miliardë dollarësh është marrëzi. Edhe nga zhvillimet që janë bërë për mjedisin, të gjitha zonat janë sensitive, por ekspertët më të mirë kanë rekomanduar zhvillim të turizmit të nivelit të lartë”.
Në fund, Spaho kritikoi edhe Partinë Demokratike, duke thënë se ndodhet në një krizë të thellë dhe se ka humbur besimin e qytetarëve. Ai deklaroi se vetë PD është kontributori kryesor që mban Edi Ramën në pushtet.
“PD është e dyzuar fillimisht e mbështeti investimin, më pas kur e pa që do të ngelej në periferinë e zhvillimeve politike të vendit u detyruar që të dalë në krah të protestë. Sot ja ku e keni rezultatin, protestat janë si foltoret e Berishës.
Opozita është në një krizë ekzistenciale. PD ka një problem shumë të madh nuk e prek dot më nervin e qytetarit, është bërë e pabesueshme për qytetarin. Nga ‘Rithemelimi’ e deri më sot nuk ka mbajtur asgjë nga ato që ka thënë. Njerëzit nuk janë më naivë. Nëse ka kontributor që mban sot Ramën në pushtet, është PD, sepse është e pazonja. O duhet të ikim ne ose kryetari i PD”, tha Spaho.



