DOSJA/ “Sot s’janë në shtëpi”, u kapën me “presh në duar”, si e gjenin grabitësit “prenë” e radhës

schedule16:01 - 15 Prill, 2021

schedule 16:01 - 15 Prill, 2021

ABC zbardh dosjen hetimore në lidhje me shkatërrimin e grupit të grabitësve të tmerrshëm të vilave luksoze në Tiranë. Dorjan Lamani (Qirjazi), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti u arrestuan tre ditë më parë gjatë një aksioni të policisë, e cila ishte sinjalizuar se ata do të grabisnin një pikë “Exchange” në zonën e Astirit.

Ata janë kapur në flagrancë menjëherë pas vjedhjes në një banesë në zonën rezidenciale të Lundrës ku kishin marrë një vlerë parash prej 16 250 euro, disa bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Për kryerjen e vjedhjeve ata përdornin pajisje metalike (krikë), piston, kaçavidë metalike dhe radiomarrëse. Në momentin e arrestimit atyre u është sekuestruar edhe automjeti me të cilin po udhëtonin, tip Ford në ngjyrë blu të errët dhe disa aparate celulare.

Në dosjen hetimore thuhet se për grabitjen e banesës në zonën e Lundrës, ata janë futur nga dera e ballkonit me anë të mjeteve të forta duke marrë në kasafortë të gjitha paratë.

Dajvid Dosti, një nga pesë personat e arrestuar ka treguar si është njohur me Hektor Qiriazin dhe si i merrte direksionet për “prenë” e radhës. Ai ka deklaruar se komunikonte me të vetëm përmes Messengerit, ku ai e ka marrë disa herë për ta udhëzuar dhe i ka dhënë adresën e shtëpisë që duhet të vidhte nëpërmjet Google Maps. Ditën kur janë futur për të grabitur shtëpinë në Lundër, Dosti thotë se Qirjazi i ka thënë se sot duhet të shkojnë pasi nuk ndodhen në shtëpi.

“Më datë 12.04.2021, rreth orës 10.00 e ka marrë në telefon ne rrjetin social “Messenger” shtetasi Dorjan Qirjazi,  i cili i ka thënë “që duhej të takoheshim”, rreth orës 10.30 janë takuar  te një lokal në zonën e Astirit, i cili ishte vetëm. Gjatë kësaj kohe ai i tha që “ishte një punë dhe nëse unë e bëja dot ose jo”, ai më tha se “ishte një shtëpi te Tegu dhe se do ta vjedhim”, unë i thashë se “do e bëjë”, ai më tha “ok” , gjatë kësaj kohe nëpërmjet telefonit të tij i ka treguar banesën që do të vidhnim , ai i ka  treguar nëpërmjet “Googles maps” banesën që do të vidhnim, pra nepermjet hartes”, thuhet në dosje.

Ndërsa në lidhje me personat e tjerë të arrestuar si pjesë e bandës së grabitësve, Dosti ka deklaruar se nuk e njihte më përpara. Dyshimet janë se ky grup po përgatiste edhe vjedhjen e banesës së një zyrtari të lartë ku mendonin se do të gjenin shuma të mëdha parash.

Kush është Hektor Qirjazi

Ai është një emër i njohur për policinë, ndërsa njihej edhe me emrin Dorian. Mësohet se Hektor Qirjazi është në kërkim nga Italia, për shkak se është dënuar me burgim të përjetshëm për grabitje me armë në banesa. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe nga autoritetet në Greqi. Qirjazi akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi grabitësish të cilët kanë vjedhur e grabitur shumë banesa. Në Itali ky person është shpallur në kërkim që nga viti 2013.

/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!