Sot samiti i NATO-s, me çfarë rreziqesh po përballen Finlanda dhe Suedia

schedule11:22 - 29 Qershor, 2022

schedule 11:22 - 29 Qershor, 2022

Presidenti Vladimir Putin beson se zgjerimi i NATO-s është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit të tij, kështu që bashkimi i Suedisë dhe Finlandës në aleancë ka të ngjarë të perceptohet si një provokim, sipas BBC.

Ministria e jashtme e Rusisë tha se të dy vendet janë paralajmëruar për “pasojat” e një lëvizjeje të tillë. Ish-presidenti Dmitry Medvedev, një aleat i ngushtë i liderit rus, ka paralajmëruar se anëtarësimi në NATO mund ta shtyjë Moskën të përdorë armë bërthamore në Kaliningrad, eksklava ruse midis Polonisë dhe Lituanisë.

Ndërsa nuk i hodhi poshtë këto kërcënime, ish-kryeministri finlandez Alexander Stubb sugjeroi se një rrezik më real ishte sulmet kibernetike ruse, fushatat e dezinformimit dhe shkeljet e herëpashershme të hapësirës ajrore.

Pse vendet kërkojnë t’i bashkohen aleancës tani?

Suedia dhe Finlanda priten të jenë pjesë e aleancës së shpejti– një ndryshim monumental për dy kombe me një histori të gjatë neutraliteti gjatë luftës. Gjatë një samiti të NATO-s në Madrid, ata tejkaluan atë që ka të ngjarë të jetë pengesa përfundimtare – kundërshtimet nga Turqia, raporton abcnews.al.

Por pse pikërisht tani?

Finlanda

Për shumë finlandez, ngjarjet në Ukrainë të krijojnë një ndjenjë familjariteti. Sovjetikët pushtuan Finlandën në fund të vitit 1939. Për më shumë se tre muaj ushtria finlandeze bëri rezistencë të ashpër, pavarësisht se shënuan një numër të madh viktimash.

Ata shmangën pushtimin, por përfunduan duke humbur 10% të territorit të tyre.

“Të shikoje se si po shpalosej lufta në Ukrainë ishte si të rijetoje këtë histori, tha Iro Sarkka, një shkencëtar politik në Universitetin e Helsinkit. Finlandezët po vështrojnë kufirin e tyre prej 1,340 km me Rusinë, duke menduar se a mund të ndodhë diçka e tillë.

Suedia

Suedia është ndjerë gjithashtu e rrezikuar gjatë viteve të fundit, me disa shkelje të raportuara të hapësirës ajrore nga avionët ushtarakë rusë. Në vitin 2014, suedezët u tronditën nga raportet se një nëndetëse ruse që po fshihej në ujërat e cekëta të arkipelagut të Stokholmit.

Dy vite më vonë ushtria suedeze u kthye në ishullin e vogël por strategjikisht të rëndësishëm të Detit Baltik, Gotland, pasi e braktisi atë për dy dekada, raporton abcnews.al.

Çfarë mund të presim nga samiti i sotëm i NATO-s?

Udhëheqësit botërorë po mblidhen sërish sot në Madrid për një samit të NATO-s, ku lufta në Ukrainë do të jetë në qendër të diskutimeve.

Ja çfarë mund të presim nga samiti:

Udhëheqësit e NATO-s do të bisedojnë sërish për drejtimin e ardhshëm të aleancës ushtarake pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në një zhvillim të rëndësishëm mbrëmë, Turqia ra dakord të heqë veton ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancë.

Të dy vendet do të ftohen zyrtarisht për t’iu bashkuar aleancës ushtarake sot, sipas shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se anëtarët aktualë të NATO-s do të bien dakord për një “paketë gjithëpërfshirëse ndihme për Ukrainën, për t’i ndihmuar ata të mbështesin të drejtën për vetëmbrojtje” në samit.

Samiti vjen ndërsa vazhdojnë luftimet e ashpra në rajonin lindor të Donbasit. Kjo pason një sulm me raketa në një qendër tregtare në qytetin qendror të Kremenchuk të hënën, ku mbeten të vrarë 18 persona.

/abcnews.al