Në Sllovaki një vend me 5.4 milionë banorë, një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, sot po mbahen zgjedhjet parlamentare, duke tërhequr një vëmendje të veçantë për shkak të ndikimit të tyre të mundshëm në mbështetjen e Bratislavës për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë dhe më gjerë në politikën e jashtme.
Vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 22:00, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen të ditura nesër në mëngjes.
Partitë më dominuese janë Smer-SD (“Seksioni-Socialdemokracia Sllovake”) e ish-kryeministrit populist Robert Fico, i cili akuzohet si “pro-rus” nga kundërshtarët e tij dhe fraksioni centrist Progresiv Sllovakia nga Michal Simecsa, Zëvendës-President i Parlamentit Europian.
Partia e Fiko thuhet se ka epërsi. Cilido fraksion që fiton nga të dyja, do të duhet të punojë me parti më të vogla për të siguruar një shumicë në parlamentin 150-vendësh të Sllovakisë.
Qeveria e ardhshme do të zëvendësojë koalicionin e qendrës së djathtë, në pushtet që nga viti 2020, i cili ndryshoi tre herë.
Gjatë një fushate të furishme zgjedhore me shumë përplasje të ashpra mes kandidatëve, Fico doli kundër Bashkimit Europian, Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe kundër LGBTI+.
Për shumë sllovakë, shqetësimet kryesore janë ekonomike dhe sociale: vendi regjistron zyrtarisht inflacionin më të lartë në BE (10%), ndërsa sistemi i tij shëndetësor është i dobësuar ekonomikisht.
Mirëqenia dhe kujdesi për pensionistët dhe banorët e zonave të lënë pas dore është një burim shqetësimi dhe proteste, siç është edhe rritja e emigracionit.
Robert Fico deklaroi para zgjedhjeve se do të kundërshtonte ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën.
/abcnews.al