Sormani: Tirana e humb titullin po i ra të fikët, do ketë dëmtime

schedule12:35 - 2 Qershor, 2020

schedule 12:35 - 2 Qershor, 2020

Superiorja nis me shumë mistere, gjë e pranon edhe Adolfo Sormani. Madje trajneri italian nuk mund të flasë dot as për objektiva. Bëhet fjalë për futboll në kushte të pazakonta. “Ka ndryshuar gjithçka dhe e kam të vështirë të parashikoj dhe të flas tani për objektiva.

Duhet të shikojmë gjendjen fizike dhe dëmtimet, që sipas meje do jenë të shumta.  E mira është të mendojmë për to. Mund të them se objektivi i skuadrës është të arrijmë Europën, ky është minimumi që duhet të arrijmë. Duhet të bëjmë më të mirën për ta arritur diçka të tillë”, tha fillimisht italiani

Më tej ai thekson se kalendari nuk është problem dhe flet për takimin e radhës me Skënderbeun: “Ndeshjet nuk do të kenë intensitet të lartë. Do ketë momente nervozizmi dhe lojë të egër, por do ketë edhe momente qetësie. Lojtarët nuk kanë ritëm. Për ndeshjen them se do të ketë rivalitet. Objektivi për këtë ndeshje është gjithmonë i njëjtë, pavarësisht atyre që kanë ndodhur”.

Një koment Sormani e bëri edhe për lojtarin e Bylisit, të prekur me COVID-19. “Shpresoj që të mos jetë e vërtetë dhe futbollisti të jetë mirë. Kemi punuar shumë deri tani dhe shpresoj ta mbyllin sezonin deri në fund”, shtoi trajneri i Partizanit, që më pas u ngacmua edhe në lidhje me garën për titull.

“Mendoj se kjo mund të ndryshojë, vetëm nëse Tiranës i bie të fikët. Kukësi është më afër dhe gara për titull mendoj se është ende e hapur. Janë edhe 10 ndeshje me 30 pikë në lojë, që nuk janë pak. Duhet parë reagimi i Kukësit”, përfundoi Sormani, i cili kërkoi fat për dëmtimet, që këtë periudhë pritet të jenë të shumta. /abcnews.al