Kriza e Partizanit pritet që të vazhdojë, pavarësisht përpjekjeve të trajnerit Sormani. Tekniku i njohur, Agim Canaj, analizon ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe pretendentët në Superligë.
Trajnerët e huaj nuk I sulmon, por për momentin nuk vlerëson. Agim Canaj, një nga teknikët me më shumë përvojë në futbollin shqiptar, nuk gjykon se në Superligë kanë mbërritur specialistë të huaj me nivelin e duhur, ndërsa analizon krizën e Partizanit.
“Në shtatë ndeshjet e fundit ka humbur gjashtë ndeshje, domethënë është një moment shumë i vështirë. Edhe në ndeshjen me Kukësin ishte një skuadër që në asnjë moment nuk dha një fytyrë normale të një ekipi që mund ta fitojë. Këto vijnë si rezultat i grupit të lojtarëve, të cilët deri në këto momente kanë një goditje shumë të madhe psikologjike. Ardhja e trajnerit të ri nuk bëri asnjë gjë, por e thelloi edhe më shumë krizën”.
Sormani do të mbijetojë apo do të përfundojë i shkarkuar? “Sormani nuk është se ka shkopin magjik e do ta kthejë për 20 ditë ekipin. Këto janë klube të mëdha që duan ta bëjnë kthesën sa më shpejt. Deri në këto momente, sidomos në ndeshjen e djeshme me Besëlidhjen, më dha një shije të hidhur që situata te Partizani do jetë kështu gjatë”.
Kukësi e Tirana duken si kandidatët kryesorë për titull. “Shoh Tiranën që është një skuadër që me ardhjen e Egbo, me qetësinë e klubit, janë skuadra që kanë fituar pesë ndeshje radhazi. Shikoj që ka një ndryshim në aspektin e lojës, zhdërvjelltësisë dhe egos. Sigurisht pa anashkaluar Kukësin, që është një skuadër me cilësi shumë të mëdha. Ata nuk po gjejnë ekuilibrin me ekipin e nivelit të dytë ose më të dobëta”.
Në futboll ndikon edhe gjendja financiare e klubeve, si e gjykon Canaj atë? “Ka pasur problematikën e saj në mënyrën e shlyerjes të skuadrave, pavarësisht se nuk është bërë publike. Me atë që dëgjojmë, me atë që shikojmë, por edhe me kontaktet që kemi, vështirësia është e madhe. Shteti duhet të vërë dorë në këtë aspekt. Një ligj për sportin do hapte një dritë jeshile që në futboll çdo gjë të bëhet me letra të hapura”. /abcnews.al