Eshte rikthyer në Kosove, për herë të parë këtë vit, i dërguari i posacëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
EFEKT SORENSEN NE KOSOVE
Ne fjalën e tij të shkurtër për media, Sorensen tha se gjithësesi do të gjendet një zgjidhje që palët të ulen në dialog.
“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave.Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë, duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë.” tha Sorensen
Sorensen përmendi edhe vizitat gjatë vitit të kaluar të përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të Brukselit Kaja Kallas, duke theksuar se do të jetë ajo që do ti thërras palët në takim në lëvizjen e ardhshme.
Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës herët në mëngjes. Ndalesën e dytë e pati në presidencë me kreun e shtetit Vjosa Osmani.
Me asnjërin prej tyre, Sorensen nuk mbajti konferencë të përbashkët për media, ndërsa agjendën e ka të mbushur edhe me takime të tjera me përfaqëues të partive opozitare.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë u ndal në Kosovë, përpara se të vizitojë edhe Serbinë në përpjekje për të shënuar përparimin në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Gjatë mandatit të tij janë zhvilluar vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk kanë prodhuar rezultat.
Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit nga Brukseli. Marrvëshja e fundit e arritur mes palëve, edhe pse jo e nënshkruar, është ajo e Ohrit ne vitin 2023, ku kërkohen njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare por edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe ne Kosove./abcnews.al


