Soreca: Vazhdon lëvizja e lirë në zonën Schengen

schedule11:25 - 17 Prill, 2019

schedule 11:25 - 17 Prill, 2019

I qetëson shqiptarët ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë pas vendimit të parlamentit të Holandës për rikthimin e vizave.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo ka qenë e qartë në fakt edhe në njoftimin që ka bërë ambasada holandeze në Shqipëri me anën e Facebook-ut. Pra vijon udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen”, tha Soreca.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian është në pritje nëse qeveria holandeze do të vendosë të bëjë apo jo këtë kërkesë ku ka paqartësi mbi lidhjet mes udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar nënvizoi ambasadori Soreca.

“Në fakt është shumë e rëndësishme për të përmendur një gjë tjetër, që është vetë qeveria holandeze në debatin që patën në parlament, nuk është shprehur që ka një lidhje të qartë ndërmjet udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojiten të dhëna dhe statistika në mënyrë që mund të arrihet kjo lidhje e cila nuk është vërtetuar ende”, tha ai.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë fton si qeverinë shqiptare ashtu edhe atë holandeze që të vazhdojnë dhe ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre veçanërisht në fushat e rëndësishme siç janë emigracioni i paligjshëm dhe lufta kundër krimit të organizuar. Atyre që i tremben ndikimit të vendimit të parlamentit holandez mbi hapjen e negociatave, i sqaron se janë dy çështje të ndryshme.

“Ka një raport tjetër në lidhje me çeljen e negociatave, një takim që do të ndodhë në Qershor të këtij viti por që do të bazohet në një raport tjetër të Bashkimit Evropian, prandaj të jemi të qartë për këtë gjë”, tha ambasadori.

Për ambasadorin italian në vendin tonë i takon Komisionit Evropian të japë përgjigjen përfundimtare.

“Sipas meje nuk është një masë e justifikuar nga motivi që u ngrit në parlamentin holandez. Megjithatë çdo vend ka të drejtë të ketë mendimin e tij dhe i takon Komisionit Evropian pastaj ti përgjigjet kërkesës”, u shpreh Cutillo.

Kreu i diplomacisë italiane në Shqipëri përsërit kërkesën për bashkëpunim të politikës me qëllim që reformat e kërkuara për hapjen e negociatave të arrihen. Një këshillë që duket se nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga mazhoranca dhe opozita.

“Nuk e di, ju pyes juve, a shihni të ketë ndryshuar gjë?”, tha Cutillo./abcnews.al