Soreca: Të plotësohen vakancat në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, mbështesim SPAK-un

schedule18:40 - 31 Janar, 2020

schedule 18:40 - 31 Janar, 2020

Luigi Soreca në një takim me ministren Gjonaj dhe ambasadoren e SHBA, Yuri Kim thotë se BE e mbështet plotësisht Reformën në Drejtësi e cila është rruga e vetme e Shqipërisë për në BE dhe do të funksionojë si pasaportë për anëtarësimin e saj. Ai e quan vit kritik 2020-tën pasi duhen finalizuar arritjet e Reformës në Drejtësi të 2019-tës, që mbylli vitin me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

“Kemi synim ta mbështesim reformën në Shqipëri dhe të ecim krah për krah sepse qytetarët shqiptarë kanë vendosur besimin e tyre në këto institucione. Na bëtë bashkë sot për të reflektuar mbi reformën më të madhe që ka bërë Shqipëria, reforma në drejtësi. Urime të veçanta për trupat e reja të gjyqësorit që do të kryejnë punë shumë të rëndësishme, që me vendosmëri të vazhdojnë duke i dhënë sistemit të drejtësisë themelet më të forta. Institucioneve të reja të SPAK i uroj kurajo për ta kthyer shpresën e shqiptarëve në realitet për të gjithë ata që besojnë tek integriteti. BE e ka mbështëtur reformën në drejtësi që prej ditës së parë me besimin se kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një demokraci stabël. 2020 do të jetë një vit kritik ku do të konsolidohen të gjitha arritjet e vitit të mëparshëm. Për tu siguruar që reforma është e suksesshme sistemi duhet të zëvendësojë gjyqtarët që nuk e kanë të mundur të punojnë në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Soreca.

Soreca gjithashtu theksoi se BE së bashku me miqtë amerikanë do të qëndrojnë në krah për të vazhduar me këtë ritëm reformash.

“Së pari të finalizojmë hartën gjyqësore, strategjinë dhe buxhetin për personelin, sistemin IT dhe infrastrukturën. Ndërsa në aspektin afatshkurtër duhet të trajtohen emergjencat. Të mbushen vendet vakante në Gjykatat Kushtetuese dhe të Lartë si dhe të mbështetet SPAK. Duhet të punojmë për të patur një zgjidhje të mesme për vendet vakante. Për këtë duhet të jetë Shkolla e Magjistaturës. Ndërsa në aspektin afatgjatë duhet të bëjmë të pamundur që ILD dhe KED të funksionojnë në më të mirën e tyre dhe të arrijnë parimet e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë. Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve do të jetë çelësi për suksesin që do të arrihet. BE së bashku me miqtë amerikanë do të qëndrojnë krah jush për të vazhduar me këtë ritëm reformash. Reforma në Drejtësi në Shqipëri na ka mësuar që me shumë punë dhe me dëshirën e mirë gjithçka mund të arrihet”, tha ndër të tjera Soreca.

Duke cituar fjalët e ministres Gjonaj ai theksoi se reforma në drejtësi është pasaporta, motori që e shtyn Shqipërinë drejt BE”, tha Soreca./abcnews.al