“N’kufi”/ Sopiku i Ali Pashës: “Harro Mushkë Valarënë!”

schedule18:31 - 13 Tetor, 2024

schedule 18:31 - 13 Tetor, 2024

Ndoshta pakkush e di që livadhet ku Ali Pashë Tepelena vinte me karvanin e mushkave në rininë e tij, janë pikërisht në zonën e Sopikut, në majë të malit të Nëmërçkës. Dhe kur Aliun e vranë, doli kënga, “Harro mushkë Valarënë…”.

Pikërisht këtu është hapur pika e Kalimit Kufitar të Sopikut në vitin 2002 dhe funksionon për kalimin e shtetasve banorë të zonës së Pogonit. Është 80 km larg nga Gjirokastra.

Sektori kufitar prej piramidës 14 deri në piramidën 21, është 20 km. Në pikën kufitare mund të shkosh vetëm më makina për rrugë malore, rruga është në ndërtim e sipër.

Andrea Kumbi, banor i Sopikut, na merr me makinën e tij, së cilës, ia ndërron gomat çdo muaj.

Me Andrean ecim nëpër shtigjet e dhenve. “Jam rritur ne internim, kam jetuar ne Lunxheri, janë njerëz të respektuar”, na thotë duke u ankuar sesi media i trajton problemet e këtyre zonave dhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe minoritarëve.

“Jemi miq me shekuj, hamë, pimë bashkë”, thotë me zë të lartë, duke shtuar “Lereni popullin te jetoje se rregullohemi vete”. E ka rrëmbyer gruan, Vasilika, apo Vasiliqi, në gjuhën e nënës dhe vazhdojnë të jenë të dashuruar edhe pas 40 vjetësh. “Po ç’të bëjmë, të marrim malet?”, na thotë Vasilika me një të qeshur kumbuese. Këtu jetohet vetëm me punë, shton. Pak më poshtë është fshati Poliçan. Irakli Saqellari është një zagorit “shqeto” me gruan minoritare”. Mirëkuptohemi me njeri tjetrin këtu, na thotë. Kafen e pi me minoritarin Filip Pacani, që kërkon vetëm të shtrohet rruga. “Bëjmë jete normale fshati, pa pretendime”, shton. Matanë kufirit, shtrihet Drimadës, ku takojmë Jorgos Vizuqis dhe bashkëshorten e tij Parashqevi. Jorgos na thotë se jetojnë në Janine dhe vijnë këtu gjatë verës.

Ndërsa Parashqevia e emocionuar rrëfen se është vllehë dhe se gjyshja e saj kishte lindur në Leskovik.

“Ne na quajnë vllehë shqiptare, jam vllahë, shumë fjalë i kemi në shqip”, na thotë. Ecim drejt Kalpakit, ku takojmë Jorgos Zbonjas, një grek që e flet aq mirë shqipen.

“Kam shume shoke shqiptare, erdhëm në Tiranë, vojta po”, na thotë. Këtu jeton edhe Diogjen Thaka, shqiptar që ka emigruar këtu që prej 35 vjetësh. Dimër, behar, këtu, “jetojmë mirë, na trajtojnë mirë, ka shumë shqiptarë këtu”, na thotë.

Qyteza e vogël ka shumë shqiptarë dhe kur të dëgjojnë që flet shqip, të afrohen, të pyesin dhe “llafosim”, në gjuhën e nënës!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!