Ndryshimet ligjore të propozuara nga Rama për pezullimet janë ngjarja më e rëndësishme në vend.
Në sondazhin e fundit të Zëri i Shqiptarëve në Abc News, 44.5% e shqiptarëve mendojnë se ndërhyrja në paragrafin 2 të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale meriton vëmendjen kryesore.
31.4% e qytetarëve e shohin lëvizjen e mazhorancës si pozitive, duke plotësuar boshllëkun ligjor, kurse 30.1% si një lëvizje të Ramës për interesa të ngushta politike pas pezullimit të zv.kryeministres Balluku.
Por një pjesë edhe më e madhe, 38.5%, nuk mjaftohen me këtë ndryshim, kërkojnë ndërhyrje të tjera si rasti i paraburgimeve.
Standardi në këtë rast nuk është i njëjtë. Ndërsa numri i të paraburgosurve është tejet i lartë në Shqipëri, kjo nuk vlen kur je protestues i opozitës së Berishës.
Sërish Gjykata e Tiranës liroi gjithë protestuesit e arrestuar për hedhje të molotovëve e fishekzjarrëve kundrejt policëve, institucioneve apo edhe një operatori televiziv.
39.5% e qytetarëve mendojnë se gjyqësori tashmë është pjesë e lojërave politike, 42% e tyre kërkojnë që gjyqësori të jetë pushtet, por jo mbi pushtetet e tjera.
Vetëm 18.5%, elektorat dërrmues demokrat, e mendojnë të drejtë lirimin e protestuesve të dhunshëm.
Një dhunë, e cila e rrëzon në mbështetje PD me 1.5% brenda javës. Kurse PS, falë lëvizjeve të Ramës, qëndron aty ku kishte edhe një javë më parë, mes 47 dhe 48 përqind të mbështetjes kombëtare.
Por a ka ardhur koha për ndryshime në qeveri?
41.3% e elektoratit socialist janë pro, për t’i hequr çdo argument Berishës dhe të tjerëve që tentojnë të minojnë procesin e integrimit.
34.2% të tjerë e konsiderojnë si detyrim të mazhorancës qeverisëse për mirëqeverisje.
Kurse vetëm 24.5%, shumica demokratë, mendojnë se ndryshimet në qeveri nga Rama do të ishin dorëzim ndaj Sali Berishës.
Por lajmi më i trishtueshëm për Berishën është se sondazhi i kësaj jave shpjegon edhe rënien e pjesëmarrjes në protestën e molotovëve në 10 shkurt. Në sytë e gjithë qytetarëve, protestat me Molotov të Berishës nuk janë dhe aq interesante.
Me më shumë interes se molotovët e protestës së Sali Berishës janë salto mortalet në patinazh apo slalomet e Lara Colturi në pistat e Kortinës. Dyfishi i atyre që i shkojnë pas protestave mendojnë se është më interesante të shohin në shtëpi Lojërat Olimpike të Dimrit. Një shenjë se dimri i madh dhe i fundit për Berishën tashmë ka filluar. Kilometri i fundit duket i acartë.


