Sondazhet në Greqi, Demokracia e Re në avantazh

schedule17:30 - 7 Korrik, 2019

schedule 17:30 - 7 Korrik, 2019

Që prej mëngjesit, qytetarët grekë po votojnë në zgjedhjet e parakohshme. Procesi elektoral është një betejë mes kampit të majtë të udhëhequr nga kryeministri Aleksis Tsipras dhe ai i qendrës së djathtë i drejtuar nga Qirjakos Micotaqis, i konsideruar favorit në sondazhe.

Në votimet që kanë filluar normalisht mëngjesin e së dielës, në më shumë se 21.000 qendra votimi, marrin pjesë rreth 10 milionë votues. Mes tyre janë edhe 500.000 që votojnë për herë të parë dhe pikërisht këtyre iu drejtua me një mesazh Aleksis Tsipras.

 “Iu drejtohem posaçërisht të rinjve dhe të rejave, që mos ta lënë në duar të të tjerëve vendimin kruçial për të ardhmen e tyre. Të jenë ata që të vendosin për rezultatin”, tha Tsipras pasi hodhi votën e tij. Nga ana tjetër, lideri i opozitës Qiriakos Micotaqis u shpreh i sigurt se në përfundim të zgjedhjeve do të jetë fituese partia e tij, Demokracia e Re.

“Sot qytetarët marrin në duart e tyre fatet e vendit. Jam i sigurt se nesër do të gdhihet një ditë më e mirë për atdheun tonë”, deklaroi Micotaqis. Pjesëmarrja në votime paraqitet e ulët deri në këto momente, ndoshta sepse temperatuat e larta i kanë shtyrë njerëzit që ta kalojnë ditën në plazhet e shumta të vendit. Në kampet partiake druhen se kjo situatë do të vazhdojë deri në përfundim të votimit, duke shënuar një rekord të ri mospjesëmarrjeje.

Këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen pasi Greqia doli nga programet e shpëtimit, por vendi vazhdon të mbetet nën mbikëqyrjen e kreditorëve. Qytetarët grekë ftohen sot të vendosin nëse do t’ia besojnë qeverisjen e vendit kryeministrit aktual, Aleksis Tsipras, apo do të mandatojnë liderin e opozitës, Kyriakos Mitsotakis. Sondazhet kanë treguar një avantazh të qartë, që shkon deri në 10% për Demokracinë e Re të opozitës. Por një pamje e qartë do të jepet rreth dy orë pas përfundimit të votimit, kur do të fillojnë të shpallen rezultatet e para zyrtare”, tha gazetari i ABC News nga Greqia./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!