Sokol Hazizaj dhe Sajmir Vishaj për vlerësimin e kandidaturave nga KED

schedule14:35 - 18 Mars, 2018

schedule 14:35 - 18 Mars, 2018

Shpallja e vakancave nga Presidenti dhe Kuvendi për vakancat e Gjykatës Kushtetuese në një kohë kur procesi i vettingut nuk ka përfunduar ende për asnjë nga gjyqtarët, ka ndarë opinionin publik sa i përket vijimit të procesit. Duhet apo nuk duhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të vlerësojë kandidaturat e depozituara nga Presidenti dhe Kuvendi në një kohë që trupa e saj nuk ka kaluar procesin e Vettingut? Avokatët Sokol Hazizaj dhe Sajmir Vishaj komentojnë për ABC News.

15 Marsi ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave pranë Kuvendit të Shqipërisë për vakancën e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse në Republikën e Shqipërisë, ende asnjë gjyqtar nuk ka kaluar procesin e Vettingut, kriter kushtetues ky për t’u zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi shpallën vakancat. Bazuar në Kushtetutë, listat me kandidatura i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i bën vlerësimin professional dhe etiko-moral, si dhe renditjen e kandidatëve. Mazhoranca arsyetoi se s’mund të lejonte më mosfunksionimin e Kushtetueses për shkak të tkurrjes së trupës të saj në 6 nga 9 anëtarë, që kërkon Kushtetuta. Emergjencën e situatës e thekson edhe avokat Sajmir Vishaj.

Por përkundër këtij qëllimi zhbllokues shkon deklarata e kreut të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, sipas të cilit, KED do duhet të presë përfundimin e Vettingut për trupën e saj, përpara se të vlerësojë dhe rendisë kandidaturat.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas përzgjedhjes me short në Dhjetor 2016, ka paralajmëruar 19 Marsin si ditën për mbledhjen e saj të parë.
Kjo nuk do të thotë, sipas avokatëve, se KED duhet të ndjekë këshillën e zotit Ulsi Manja dhe të mos punojë mbi kandidaturat që dy institucionet, Presidenca dhe Kuvendi, pritet t’i depozitojnë pas konstituimit të Këshillit më 19 Mars.

Renditja nga Këshilli i Kandidaturave, bazuar mbi kriteret profesionale, është edhe mekanizmi zhbllokues i parashikuar në Kushtetutë për ato raste, kur kandidatët nuk emërohen por zgjidhen, siç është rasti i kandidaturave nga Kuvendi.
Si precedent vlen rasti i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. E zgjedhur pa kaluar Vettingun, me fuqinë e përpilimit të dosjeve të Vettingut për vartësit e saj.

Ajo çfarë ligjvënësi mund të bëj në këtë pikë sipas avokatit Hazizaj, është të identifikojë problemin dhe ta zgjidhë atë.
Kushtatuta e parespektuar në kohë dhe hapësirë është fillimisht dhe kryesisht në dëm të qytetarëve, të cilët nuk duhet të harrojnë çfarë ndodh në rastet kur vullneti politik nuk respekton vetë produktin e tij, kushtetutën dhe ligjet, thekson Hazizaj.

Edhe pse ankimimi i kohës nga demokratët për përcaktimin e një afati për përfundimin e procesit të Vettingut u arsyetua si i panevojshëm nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.2 i vitit 2017, i cili në paragrafin 72 argumentoi se “Mungesa e afatit në këtë process derivon nga natyra sui generis e procesit dhe nuk lidhet aspak me mungesën e llogaridhënies”, duke përcaktuar se çdo rast do të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur.

Ligjvënësi u nxitua me miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ky nxitim duhet riparuar, sipas avokatit Sokol Hazizaj. Nëse kjo nuk ndodh, avokat Vishaj thekson se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka të drejtë të vlerësojë dhe rendisë kandidaturat bazuar në precedentin e krijuar me procesin e përdorur për Arta Markun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!