Snobizmi i Trump/ Gjermania kthen sytë nga Rusia

schedule19:11 - 18 Maj, 2018

schedule 19:11 - 18 Maj, 2018

Duke parë politikat shpërfillëse të presidentit Trump ndaj Europës, kancelarja gjermane Angela Merkel ka vendosur t’i rikthehet aleancës me presidentin rus Putin. Gjatë një vizite në Soçi, Merkel dhe kreu i Kremlinit kanë rënë dakord për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut 2”.

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë shumë të rëndësishme. Ka qenë ky mesazhi që kancelarja gjermane Angela Merkel ka përcjellë të premten në Soçi, ku është pritur nga presidenti Vladimir Putin në resortin e tij verior. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel ka vlerësuar me nota pozitive shkëmbimin e pikëpamjeve me Putin dhe ka theksuar se krizat aktuale mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut intensiv. Mes shumë çështjeve të diskutuara mes dy liderëve, vetëm për një prej tyre nuk është gjetur gjuha e përbashkët.

“Është në interesin tonë strategjik të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë. Pavarësisht disa diferencave ka çështje të tjera për të cilat ne biem tërësisht dakord”, ka thënë Merkel.

Edhe Putin është shprehur për një dialog më të ngushtë me Gjermaninë, të cilën e ka cilësuar një partner tregtar kyç për Rusinë. Duke u ndalur tek çështja e gazsjellësit “Rrjedha e Veriut 2”, Merkel dhe Putin duket se kanë arritur të sheshojnë mosmarrëveshjet.

Pavarësisht se infrastruktura e projektit do të vendoset në detin e Zi, kancelarja ka theksuar se gazi rus duhet të vazhdojë të rrjedhë edhe përmes Ukrainës.

Dhe Putin është shprehur dakord, përsa kohë një gjë e tillë sjell përfitime për të gjitha palët. Ai ka paralajmëruar se do t’i bëjë ballë çdo përpjekjeje të presidentit Donald Trump për të sabotuar projektin. Kjo, pasi kompanitë ruse të përfshira në të rrezikojnë të preken nga sanksionet amerikane. Ndër të tjera gjatë konferencës për shtyp, Merkel ka folur për rëndësinë e implementimit të marrëveshjes së Minskut për Ukrainën. Armëpushimi i arritur është shkelur ndaj dhe ideja për dërgimin e trupave paqeruajtëse duhet marrë në konsideratë” – ka thënë Merkel. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!