“S’mund të vija në rrezik jetën e fëmijëve”, zbardhet raportimi i prokurorit Martini në KPK

schedule15:07 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 15:07 - 10 Dhjetor, 2019

Prokurori Anton Martini ka të gjitha shanset të konfirmohet në detyrë më datë 12 Dhjetor 2019. Ai është kandidat për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Gjatë seancës së sotme dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, atij nuk i dolën probleme me pasurinë dhe as me pastërtinë e figurës. Relatorja e çështjes, tha se prokurori nuk ka fshehur pasurinë, megjithëatë ai sqaroi një pasaktësi sa i përket deklaratave të pasurisë. Në vitin 2007, Martini ka përfituar një kredi të butë prej 5 milionë lekësh për strehim, por e ka investuar atë në blerjen e bonove të thesarit në Bankën e Shqipërisë.

Në vitin 2015, Martini ka blerë shtëpi 97 m2 me vlerë 90 mijë euro. Për këtë deklaron se ka marrë kredi të dytë me vlerë 5 milionë lekë në 2016. Aktualisht Prokurori deklaron se ka shlyer 85 mijë euro, ndërsa ka edhe 5 mijë euro të tjera për të paguar për apartamentin. Para trupës së KPK-së, Martini sqaroi se pse ka marrë dy kredi për 1 shtëpi. “Banesën e kam blerë me dy kredi të ndryshme pasi nuk kisha mundësi financiare për ta paguar dhe në kohën kur kam marrë kredinë e parë unë kam qene prokuror nën mbrojtje dhe s’mund të vija në rrezik jetën e fëmijeve që të bleja një shtëpi në periferi”, tha ai.

Gazetarja Glidona Daci raportoi për abcnews.al se prokurori gjithashtu është shprehur se për të shkolluar djalin ka përdorur paratë e dhuruara nga vëllezërit.

Më tej teksa bëri prezantimin e karrieres së tij, Martini theksoi faktin se ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla e ka transferuar në kundërshtim me ligjin nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Shkodrës.

“Kam nisur punë që në vitin 1998 si OPGJ në Krujë dhe në 1999 jam bërë prokuror në Lushnje, nga 2004 kam qene tek Krimet e Rënda. Ne 2015 me nje vendim te jashteligjshem jam trasferuar ne Shkodër. Ne 2016 jam kthyer tek Krimet e Renda. Në 2017 u trasferova si titullar ne Shkoder, ndersa nga mesi i 2018 jam tek Krimet e Rënda”, tha ai.

Relatorja e çështjes tha se DSIK ka sjellë një raport ku thuhet se ka konstatuar përshtatshmeri per vijimin e detyres së prokurorit Anton Martini. Po kështu ajo tha se “ai është i aftë profesionalish, respekton afatet ligjore, etj”. /abcnews.al