TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral.
Ai theksoi se krimet elektorale duhet të luftohen në përpjekje të përbashkët dhe institucionet duhet të qëndrojnë brenda kuadrit të tyre kushtetues dhe ligjor.
Sipas Ramës, çdo dalje nga kjo do të ishte ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejta politike të shqiptarëve dhe të përfaqësuesve të tyre.
“Pushtetet të ndara dhe patjetër edhe në mënyrë shumë të vendosur, sepse nuk mund të cenohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv, nuk mund të cenohet e drejta për të marrë vendime, nuk mundet të trysnohet administrata e shtetit, nuk mund dot të paragjykohet dhe një gjë tjetër: nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çfarëdo lloj survejimi në territor, sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohën kaq të errëta sa kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkëta për të luftuar dhe krimet elektorale, bëhet secili në pozicionin e vet kushtetuese dhe llogoren e vet, dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejta politike të shqiptarëve dhe të përfaqësuesve të tyre”, tha ai.


