“Fjalim i shkruar mirë, por i lexuar në vendin e gabuar, në formën e gabuar.” Kështu e ka komentuar deputeti demokrat Kreshnik Çollaku fjalën e mbajtur nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Evropës.
Po ashtu, sipas Çollakut, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në “Radari Informativ” në ABC, me atë fjalim që ai e cilësoi provokues, kreu i qeverisë hodhi poshtë një punë disamujore që Kosova dhe Shqipëria po bëjnë për t’i siguruar Kosovës një vend në Këshillin e Evropës.
“KiE është një vend politik, ata kanë interesat e vendeve të tyre. Synimi aty nuk është të emocionosh për patriotizëm. Aty të duhet konsensus i madh. S’mund të provokosh Asamblenë që pastaj t’i kërkosh votë.”
Sipas deputetit demokrat, Edi Rama u tregua një mik besnik i Hashim Thaçit, por vetëm kaq. Rezultati sipas tij ishte: zero rezolutë kundër raportit të Dick Marty-t.
“Mbështetjen Asamblesë nuk ia merr dot duke e fyer apo bojkotuar. EPP/EDC është shumica e KiE. Kosova ka një sfidë të jashtëzakonshme në Kie. Ka aplikuar për anëtarësim. Kosova ka 6 muaj që punon që të marrin vota pro, ose të nxisin kundërshtarët në pozicion neutral. Edi Rama shkon, bën një fjalë patriotik.”
Kujtojmë se pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në KiE që shkaktoi shumë zhurmë, anëtarët e EPP/EDC refuzuan të merrnin pjesë në një darkë informale të organizuar nga delegacioni shqiptar në Strasburg. Ata u shprehën se nuk morën pjesë në darkë pasi u ndien të fyer nga deklarata e bëra nga kryeministri Rama. /abcnews.al/