Për të dytën ditë radhazi, mijëra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin sllovak për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit populist të krahut të majtë, Robert Fico dhe ministres së tij nacionaliste të Kulturës, Martina Simkovicova.
Ndërsa artistët dhe mbështetësit e tyre kishin protestuar mbrëmjen e së hënës, kryesisht kundër politikës kulturore, këtë herë ishin dy partitë opozitare liberale që organizuan një protestë masive kundër qeverisë.
Organizatorët vlerësuan numrin e pjesëmarrësve në 18 000 njerëz. Duke iu drejtuar qeverisë së Ficos, turma thirri “Turp! Turp!”
Objektivi kryesor i kritikave ishte se pas shkarkimit të drejtuesve të disa institucioneve kyçe kulturore, Simkovicova shkarkoi pa paralajmërim edhe drejtuesit e dy institucioneve më të mëdha kulturore të vendit javën e kaluar.
Ajo shkarkoi drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Sllovak, i cili përfshin gjithashtu teatrin më prestigjioz të operës të Sllovakisë, si edhe drejtorin e Galerisë Kombëtare.
Në fjalime dhe në pankarta, folësit dhe demonstruesit kërkuan dorëheqjen e Simkovicova. Disa pankarta kërkonin gjithashtu largimin e qeverisë.
Simkovicova, e cila u propozua për postin ministror nga Partia Kombëtare Sllovake, më e vogla nga tre partitë qeverisëse, ka qenë në qendër të polemikave që nga marrja e postit në tetor të vitit të kaluar