Skualifikimi i ish-deputetëve, Basha: Kryesia vendos për listat, Topalli të tregojë se është kundër Ramës

schedule17:08 - 26 Tetor, 2020

schedule 17:08 - 26 Tetor, 2020

Kryesia e Partisë Demokratike do të jetë organi që do të vendosë mbi fatet e kandidimit ose jo të ish-deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë që u skualifikuan nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidateve.

Edhe pse Komisioni i ka sugjeruar kryesisë një listë me 13 emra që duhet të mos rikandidohen, Lulzim Basha tha se kryesia nuk do të zhvlerësojë votën e anëtarësisë.

“Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse, bazuar mbi të gjitha këto vendime dhe propozime pasi të shqyrtojnë raportin e Komisionit do të marrin vendimin përfundimtar”, tha Basha.

Një ditë më parë, Jozefina Topalli njoftoi për “Abc News” se do të nisë një angazhim të ri nga kjo e mërkurë ku do ti bashkohet Lëvizjes për Ndryshim.

Për Lulzim Bashën çdo forcë e re në opozitë me qeverinë do të ishte e mirëpritur, por për këdo që vendos shenja barazie mes tij dhe Ramës tha se i shërben kryeministrit.

“Nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj askënd që është në opozitë me Edi Ramën dhe do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës. Por çdokush që bën të kundërtën pavarësisht sa mundohet ta fshehë, e ka të pamundur ta fshehë sepse qytetarët e kuptojnë se nuk janë budallenj. Çdokush që do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës ka pasur hapësira dhe do të ketë hapësira në dispozicion”, u shpreh kryedemokrati.

Qeverisë i ripërsëriti apelin për tu përqendruar te pandemia e COVID-19 dhe t’i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë financiarisht.

“Çfarë po bën Edi Rama për këtë situatë që po pllakos. Ku është COVID-19, me mjekë, infermierë me pajisje. Ku është bonusi për mjekët. Përse nuk rimbursohet paketë e ilaçeve anti-covid”, tha më tej Basha.

Një muaj më parë ekspertët e Partisë Demokratike paraqitën një plan të detajuar mbi menaxhimin e pandemisë në fushën shëndetësore, ekonomike dhe atë të arsimit./abcnews.al/