“Skripal”/Zyrtari i lartë britanik, “dush të ftohtë” Kryeministres May

schedule18:24 - 3 Prill, 2018

schedule 18:24 - 3 Prill, 2018

Shefi i Qendrës kërkimore ushtarake të Britanisë ka deklaruar të martën se nuk ishte në gjendje të vlerësonte me saktësi nëse agjenti nervor i përdorur për të helmuar ish-agjentin rus muajin e kaluar ishte prodhuar në Rusi.

“Ne arritëm të identifikonim agjentin kimik si Noviçok, arritëm të verifikonim gradën e tij nervore, por nuk arritëm të identifikonim burimin e saktë”, ka deklaruar Gary Aitkenhead për “Sky News”.

Megjithatë, zyrtari i lartë ka nënvizuar se e kishte pajisur qeverinë me një sërë të dhënash, që të bashkuara me konstatimet e agjencive të tjera policore mund të kenë çuar në përfundimin me të cilin ekzekutivi britanik doli publikisht. Sidoqoftë, ai ka konfirmuar se substanca kërkonte metoda jashtëzakonisht të sofistikuara për t’u prodhuar, kapacitetet për të cilat, sipas tij, i kanë vetëm aktorët shtetërorë.

“Po vazhdojmë punën për të siguruar informacion shtesë që mund të na çojë më pranë burimit, por deri tani nuk kemi arritur ende atje”, ka shtuar Aitkenhead. Kryeministrja britanike Theresa May ka akuzuar Moskën si përgjegjëse për helmimin e ish-oficerit rus dhe së bijës, Sergei dhe Julia Skripal, por deklarata e shefit të Laboratorit ushtarak për shkencën dhe teknologjinë mund të përbëjë një dush të ftohtë për qëndrimin e saj. Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi lidhur me sulmin e ndodhur në lokalitetin Salisburi, në jug të Anglisë, më 4 mars. /abcnews.al