Skriniar: Goditje e rëndë eliminimi nga Champions, duam titullin kampion

schedule18:42 - 3 Shkurt, 2021

schedule 18:42 - 3 Shkurt, 2021

Milan Skriniar është një nga lojtarët më të dalluar të Interit. Sllovaku është një garanci në prapavijë dhe beson shumë te fitimi i trofeve. Zikaltrit renditen në vend të dytë të Serie A, me dy pikë më pak se Milani kryesues.

25-vjeçari flet për Sport.sk, duke u ndalur edhe te fundi i sezonit të kaluar, moment kur humbi postin e titullarit në ekipin e Antonio Conte. “Po luaj mirë, si unë edhe Interi. Një gjë e tillë më gëzon. Kampionati është i gjatë, duhet të përmirësohemi dhe të vazhdojmë me paraqitje pozitive.

Vjet e humba postin e titullarit. Nuk kam luajtur në Europa League, sepse skuadra ishte e suksesshme me atë formacion që po zbriste në fushë. Por unë nuk isha i zemëruar, përkundrazi. Më pas ia dola të rifitoj vendin tim në formacion. Situata ka ndryshuar për mirë dhe shpresoj të vijoj me ndeshje pozitive.

Eliminimi nga Champions? Ishte një goditje e madhe për ne, por luajtëm keq. Jemi në garë për dy trofe (titulli + Kupa e Italisë) dhe synojmë t’i shkojmë deri në fund. Serie A? Rrallë diskutojmë për titullin në dhomat e zhveshjes, më shumë merren gazetat me këtë temë. Sigurisht që duam t’i dhurojmë trofe Interit.

Ndodhemi në rrugën e duhur dhe kemi objektiva të rëndësishëm për të arritur. Ky është kampionati më i ekuilibruar i viteve të fundit, duhet të menaxhojmë sa më mirë situatën“, deklaron Milan Skriniar. /abcnews.al