Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Skepticizmi rreth vaksinave është po aq i vjetër sa vetë vaksinat

schedule10:06 - 24 Shkurt, 2021

schedule 10:06 - 24 Shkurt, 2021

Nga Sally Frampton, The Guardian

Ka pasur një shpërthim të keqinformimit që kur nisi pandemia dhe kjo është diçka që  nuk duhet të na vijë si befasi.

Ndërsa po përballemi me një krizë shëndetësore me përmasa epike, njerëzit kërkojnë një qasje të shpejtë në informacionet e fundit mbi vaksinat dhe të gjitha zhvillimet e tjera.

Por informacione të shumta mund të krijojnë konfuzion dhe keqkuptim.

Disa nga problemet e keqinformimit duken si të panjohura për ne dhe të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me mediat sociale, ku gënjeshtrat mund të lulëzojnë dhe të përhapen nga kompanitë teknologjike  dhe kushdo prej përdoruesve mund t’i shpërndajë ato.

Por çështja se si interpretohen  ose keqinterpretohen lajmet rreth mjekësisë  ka një histori shumë më të gjatë.

Në Britani, revistat e lira dhe gazetat ditore u shitën në një shkallë masive në fund të shekullit të 19-të.

Njësoj si sot, lajmet rreth çështjeve të ndryshme mjekësore janë shitur kudo, kjo pasi një publik i tërë gjithnjë e më i arsimuar po  merret me debate aktuale mbi mjekësinë dhe po mëson për risitë më të fundit rreth shëndetit publik si kurrë më parë.

Revistat e një natyre gjysmë-mjekësore, për një audiencë të gjerë, u krijuan për lexuesit e shqetësuar, të cilët kërkonin këshilla për gjithçka, nga puçrrat dhe pagjumësia te humbja e flokëve dhe dispepsia.

Mjekët profesionistë por ende të shqetësuar për statusin e tyre shoqëror, u përpoqën t’iu përshtateshin fuqive të reja të mediave. Shumë kishin frikë nga pasojat e njohurive mjekësore që populli kishte qasje, përfshirë mundësinë që pacientët  të vetë-diagnostikonin ose madje edhe të vetë-trajtoheshin pa këshilla profesionale, me rezultate katastrofike.

“Të gjitha përpjekjet për të frymëzuar publikun me njohuri rreth mjekësisë janë të rreme dhe sigurisht dështojnë”, shkruhej në një editorial në Lancet në 1887.

Mjekët që shkruanin për shtypin “laik” u paralajmëruan që ta bënin këtë nga institucione të tilla si Kolegji Mbretëror i Mjekëve, nga frika se profesioni do të shihej nga të tjerët si reklamim i shërbimeve të tyre.

Qëndrimet e publikut ndaj vaksinimit ishin  shqetësuese për mjekët. Rezistenca  ndaj vaksinimit të detyrueshëm të lisë gjatë viteve 1870 dhe 1880 ekspozoi brishtësinë e besimit si në institucionin politik ashtu edhe në atë mjekësor.

Kundërshtarët më radikalë të vaksinave përdorën demonstrime dhe botime për të mbështetur kauzën e tyre.

Nga perspektiva e tyre, gazetarët, në vend që të sfidonin fuqinë mjekësore, e mbështetën atë. Njësoj si sot, media “kryesore” u cilësua si armik dhe disa që kundërshtuan vaksinat pretenduan se gazetat po mashtronin njerëzit për sigurinë e procedurës.

Revistat kundër vaksinimit u krijuan nga aktivistët. Redaktorët e tyre mbushën faqet me raporte të nënave të detyruara për të vaksinuar fëmijët dhe të njerëzve që ishin të “helmuar” nga lajmet.

Në fillim të shekullit të 20-të, institucioni mjekësor e kishte zbutur qëndrimin e tij ndaj publikut që përfshihej në diskutimet e çështjeve mjekësore.

Mjekët filluan të vlerësonin më shumë mendimet e qytetarëve  të angazhuar dhe rolin që media mund të luante në inkurajimin e njerëzve për të zbatuar masa sanitare dhe higjienike në shtëpi.

Pas luftës së dytë botërore, me ndikimin në rritje të televizionit  dhe një peizazh kulturor mjekësor, me legalizimin e abortit, me rritjen e aktivistëve dhe transplantimin e parë të zemrës në botë, po kërkohej gjithnjë e më shumë angazhimi më efektiv midis mjekëve dhe gazetarëve.

Shoqata e Gazetarëve të mjekësisë, e themeluar në 1967, paralajmëroi rritjen e fuqisë së gazetarëve me një ritëm specifik mjekësor dhe gjeneroi ndërveprim më të madh midis dy profesioneve.

Por të flasësh hapur me publikun për çështje shëndetësore që mbështeten në një fakt shkencor kërkon punë të vazhdueshme. Gjërat nuk shkojnë gjithmonë siç duhet.

Gjithmonë duhet një kujdes i veçantë në momentin që zgjidhni një titull kryesor për një ngjarje të rëndësishme, pasi çdo gjë përcillet në publik dhe një histori rreth shëndetësisë mund të kthehet në keqinformim në mediat sociale.

Revistat mjekësore gjithashtu mund të luajnë një rol më aktiv në luftën kundër keqinformimit, duke siguruar përmbledhje të hulumtimeve më të arrira. Sidoqoftë, ka të bëjë edhe me ndryshimin e natyrës së këtyre diskutimeve, të cilat  shpesh bëhen të polarizuara.

Hezitimi rreth vaksinave është një çështje komplekse.

Mjekët e shekullit të 19 u përpoqën të ndanin kufijtë midis gazetarisë shkencore dhe medias, por nuk ishin në gjendje të parandalonin kërkesën e publikut dhe gazetarisë për informacione mjekësore.

Ajo dëshirë ekziston edhe sot. Rrjedha e njohurive mjekësore funksionon më mirë kur studiuesit, gazetarët dhe publiku janë më të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit. Parandalimi i keqinformimit është një përgjegjësi e përbashkët. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!