Skënderbeu synon fitoren ndaj Dinamos së Kievit sot në Elbasan

schedule13:22 - 23 Nëntor, 2017

schedule 13:22 - 23 Nëntor, 2017

Mbështetjen kryesore nuk do ta ketë këtë herë.

Tifozët nuk do të mbajnë radhë për bileta, as për t’u futur në stadium dhe “Elbasan Arena” nuk do të jetë kështu për sfidën e parafundit europiane të Skënderbeut.

Dënimi I UEFA-s bën që ndeshja e Ligës së Europës ndaj Dinamos së Kievit, në orën 19:00, të jetë me tribunat bosh, por jo me me shanset dhe besimin bosh në rezultatin pozitiv.

Trajneri Ilir Daja, tashmë me shumë më tepër përvojë se më parë, e përmbledh synimin që ka ekipi ndaj ukrainasve.

Na bën punë vetëm fitorja, do të luajmë gjithçka për gjithçka, por duhet bërë edhe kujdes sepse Dinamo e Kievit është shumë e fortë. Duhet përqëndrim

Duhet bërë sakrificë që të shkojmë në ndeshjen e fundit me synim kualifikimin. Duhet të kemi më shumë lojtarë në zonën kundërshtare. Kujdes nga kundërsulmi. Në Europa Ligë kemi luajtur si të barabartë me kundërshtarët, me futboll të hapur dhe të ekuilibruar. Kjo është arritje edhe për Skënderbeun, edhe për futbollin shqiptar.

Daja ka qenë përgjithësisht i hapur me formacionin.

Lilaj e nis nga minuta e parë, Jashanica në stol, riaftësimi do pak kohë më shumë. Nespor mungon I dëmtuar.

Kristi Vangjeli, një nga lojtarët me më shumë përvojë, pasi vlerëson lart Dinamon e Kievit, shpreh besim për sukses.

Shpresojmë për sukses. Të mos pësojmë gol në pjesën e parë. Golin që të na japë 3-pikëshin le ta realizojmë edhe në minutën e fundit.

Skënderbeu nuk kreu stërvitje në “Elbasan Arena”, por përgatitjet I mbylli në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Daja sqaroi se kjo kishte qenë kërkesë e lojtarëve, për të mos u lodhur dhe për t’u ndjerë sa më mirë përpara ndeshjes, ndaj edhe ai e kishte plotësuar.

Trajneri sqaroi se nuk ka nevojë për përshtatje, sepse ekipi ka luajtur disa ndeshje në atë fushë dhe e njeh mirë.

Në renditjen e grupit në Ligën e Europës, korçarët janë të fundit me 2 pikë, por me shpresa për kualifikim./abcnews.al