Skënderbeu reagoi më në fund pas dy humbjeve radhazi duke arritur një fitore të madhe në Superligë. Kryesuesit hodhën një hap të sigurt drejt titullit, pas suksesit në Vlorë.
Jo, kjo skuadër nuk ka marrë fund.
Përkundër parashikimeve të zymta pas dënimit të tmerrshëm të UEFA-s, Skënderbeu gjeti më në fund krenarinë e ekipit të madh, duke hedhur tej krizën e duke arritur një triumf vërtë të pazakonshëm.
Fitore 3-0 ndaj Flamurtarit, brenda në Vlorë, pas humbjes në Korçë ndaj të njëjtit kundërshtar në Kupë, dhe pas humbjes së habitshme në Shkodër për Superligën.
Ndikuan padyshim fjalët e presidentit Takaj dhe të trajnerit Daja, që i vunë në sedër, por ndikoi edhe vlerësimi i lartë për vetveten, që i bëri lojtarët të reagonin në mënyrë madhështore.
Sulmuesi kryesor, Ali Soue, shënoi që në minutën e parë, pastaj Bruno Dita përfundoi bukur një aksion të Muzakës, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, ishte radha e lojtarit të ri të kombëtares, Gavazaj.
Fitorja bëri që të largoheshin dyshimet, sado të pakta, se ky Skënderbe rrezikonte madje edhe një titull kampion që dukej si i futur në xhep prej kohësh.
Tashmë, Kukësi u mbajt në 12 pikë largësi, edhe pse kampionët sërish mund të luajnë në Champions nëse korçarët mbeten të dënuar.
Ekziston mundësia që kryesuesit e Superligës të realizojnë edhe një përmbysje në Kupë ndaj Flamurtarit, dhe të arrijnë finalen për ta synuar edhe këtë trofe.
Pse jo, kur fitohet 3-0, mund t’i dilet edhe 2-0.
Sa për vlonjatët e trajnerit Duro, suksesi në Kupë paska qenë vetëm një përjashtim nga rregulli.
Kuqezinjtë rrezikojnë edhe mbijetesën në Superligë, pasi janë 7 pikë larg nga zona e rënies, kur duhen edhe 8 ndeshje deri në përfundim./abcnews.al