Skënderbeu fiton në minutën e fundit

schedule22:10 - 23 Prill, 2018

schedule 22:10 - 23 Prill, 2018

Skënderbeu ia doli me sukses edhe në një nga ndeshjet më të vështira të kampionatit. Një gol në minutën e fundit ndaj Partizanit, e afroi edhe më shumë me titullin kampion.

Një fitore nga ato për të cilat nuk mund të mburresh. E tillë ajo e Skënderbeut ndaj Partizanit në “Selman Stërmasi”, por gjithsesi një konfirmim se skuadra më e mirë e Shqipërisë di të vuajë dhe të luftojë deri në sekondat e fundit.

Në një përballje të vërtetë prej rivalësh, të dominuar sidomos në pjesën e parë nga Partizani, goli i vetëm erdhi në minutën e 94-t, nga lojtari i miqve, Bruno Dita.

Fitorja e afroi edhe më shumë titullin e 7 radhazi kampion në qytetin e Korçës, pasi Skënderbeut i duhet edhe një sukses, nëse Kukësi nuk fiton javën e ardhshme.

Si mund të analizohet ndeshja në “Selman Stërmasi”?

Padyshim, që skuadra e trajnerit Ilir Daja ishte e lodhur pas duelit të fortë të mesjavës në Kupë ndaj Flamurtarit në Vlorë.

Nga ana tjetër, Partizani nuk e pati aspak parasysh renditjen, dhe luajti një ndeshje nderi, por po ashtu kërkoi fitoren për të realizuar synimin e madh, kualifikimin për në Ligën e Europës.

Nuk ia doli ndonëse luajti shumë mirë, veçse të besuarit e trajnerit Klevis Dalipi, harruan se një ndeshje futbolli ka 90 minuta, dhe jo vetëm 45. Disfata sikur simbolizoi sezonin e të kuqve, që kanë qenë herë skuadër e fortë dhe e frikshme, herë një dështim i vërtetë.

Me këtë humbje, Partizani rrezikon seriozisht të dështojë, pasi Europën e synon edhe Flamurtari që është shumë pranë pas dy fitoreve radhazi.

Shpresa e tifozëve kryeqytetas është që të mos ketë një tjetër sezon të shkuar kot, në pritje të një projekti të ri, këtë herë me një trajner kroat nga Bosnjë-Hercegovina./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!