Emra pafund në merkato, nga Korça në Shkodër. Vllaznia një ditë më parë ka konfirmuar afrimet e mesfushorit Uheid Hoxha dhe sulmuesit anësor, Demir Imeri. Tashmë ka edhe emra të tjera që qarkullojnë dhe njëri prej tyre është Rubin Hebaj.
Sulmuesi është pjesë e Teutës, por me gjasa do të largohet nga durrsakët me mbylljen e aventurës europiane. Në Shkodër e duan një sulmues dhe Hebaj është një prej opsioneve. Gjithsesi jo vetëm emri i tij lakohet në media.
Christopher Mandiangu është sulmuesi tjetër që ka dalë në skenë, sikurse shkruan “Panorama Sport”. Kongolezi me pasaportë gjermane sezonin e fundit ka luajtur me Widzew Lodz, në ligën e tretë polake. Katër gola të shënuar, ndërkohë që ka luajtur 25 ndeshje dhe vetëm tre prej tyre si titullar.
Një sezon më parë sulmuesi u aktivizua edhe në ligën e parë në Bullgari, me Septemvri Sofia. Me bullgarët shënoi 5 gola në 12 ndeshje. Mandiangu, veçse në Gjermani, ka luajtur edhe në Holandë, Skoci, Sllovaki, Austri, Armeni, Izrael dhe Finlandë.
Në Korçë po mendojnë për mbrojtjen si fillim dhe nën urdhrat e trajnerit Julian Ahmataj është vënë mbrojtësi Silvester Shkalla, ndërkohë që ka bisedime edhe me Dajan Shehin. Ky i fundi ishte vjet pjesë e Vllaznisë dhe ende nuk ka rinovuar me shkodranët pas përfundimit të kontratës. /abcnews.al