Skënderbeu barazon finalet, vajzat nga Korça triumfojnë 3-0 në sfidën e dytë ndaj Partizanit

schedule17:01 - 19 Prill, 2023

schedule 17:01 - 19 Prill, 2023

Nuk do ta ketë të lehtë që të mbrojë titullin, por gjithsesi do ta provojë deri në fund.

Skënderbeu, kampion në fuqi i Shqipërisë në volejboll për femra, ia doli që të barazonte serinë finale të “play off”-it ndaj Partizanit.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Orlando Koja triumfoi 3-0 në sfidën e luajtur në Korçë, ndonëse dy setet e fundit ishin të fortë.

Vendaset triumfuan lehtësisht në setin e parë 25-13, por pastaj Partizani reagoi dhe luftoi për çdo pikë. Setet në vazhdim u mbyllën me të njëjtin rezultat, 25-22, për një fitore të merituar të kampioneve të udhëhequra nga kapitenia Paola Gjata.

Pallati i Sportit “Skënderbeu” në Korçë ishte i mbushur plot dhe tifozët përkrahën ekipin e tyre deri në fund.

Gjithsesi, misioni për të mbrojtur titullin do të jetë i vështirë sepse Partizani ka epërsinë e faktorit fushë përderisa doli në vend të parë në përfundim të sezonit të rregullt.

Vajzat kryeqytetase fituan 3-1 finalen e parë luajtur në Tiranë, dhe ndeshjen e tretë do ta kenë sërish në fushën e tyre. /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!